Sht. Tet 24th, 2026

Arben Gashi kërkon zgjedhje të reja brenda LDK-së, thirrje për bashkim dhe ndryshim

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit brenda partisë, duke bërë thirrje për reflektim dhe nisjen e një procesi të ri zgjedhor.

Gashi ka theksuar se, pas tri palë zgjedhjesh brenda 18 muajve, LDK-ja duhet të ndalet dhe të analizojë gjendjen e saj, në mënyrë që të krijojë mundësi për rezultate të reja dhe të shmangë përplasjet që e dobësojnë partinë.

Ai ka kërkuar që procesi i ardhshëm zgjedhor të jetë demokratik, gjithëpërfshirës dhe bashkues, ku askush të mos përjashtohet dhe secili anëtar të ketë të drejtën të kandidojë apo të rikandidojë. Sipas tij, përzgjedhja e drejtimit të ardhshëm duhet t’u lihet anëtarëve përmes votës së lirë.

Gashi ka bërë thirrje që brenda LDK-së të zhvillohet dialog për organizimin e zgjedhjeve të reja partiake, me rregulla të drejta për të gjithë.

Ai ka vlerësuar se lidershipi duhet të marrë vendime të vështira në interes të përbashkët dhe të krijojë hapësirë për të gjithë, në vend që të mbrojë gjendjen ekzistuese.

Në fund, deputeti ka theksuar se LDK-ja është më e madhe se secili prej anëtarëve të saj dhe se përgjegjësia e tyre është ta forcojnë partinë, ta rikthejnë besimin dhe ta përgatisin për të ardhmen.

“Koha për një fillim të ri është tani”, ka përfunduar Gashi.

Postime të Ngjashme