Enj. Tet 22nd, 2026

​KGjK autorizon nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me AKKVP-në

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka autorizuar sot nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP).

Gjatë prezantimit të draft-marrëveshjes, u bë e ditur se asaj i kanë paraprirë një sërë takimesh ndërmjet Këshillit Gjyqësor dhe Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Marrëveshja është e paraparë të ketë afat të pacaktuar

“Draft-marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, draft-marrëveshjes së bashkëpunimit i ka paraprirë një sërë takimesh ndërmjet palëve, Këshillit Gjyqësor dhe agjencisë përkatëse. Kjo marrëveshje rregullon bashkëpunimin ndërmjet AKKVP dhe KGjK-së për shkëmbimin e informatave të nevojshme për trajtimin e kërkesave për njohjen ligjore dhe formalizimin e të drejtave pronësore të parashtruara nga kjo agjenci. Me këtë marrëveshje janë caktuar dhe obligimet për palët lidhur me shkëmbimin e të dhënave, dhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe mekanizmin për shkëmbimin e të dhënave. Kjo marrëveshje është paraparë të jetë me një afat të pacaktuar”, thanë nga Zyra Ligjore.

Gjatë diskutimit, njëri nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor ngriti çështjen se çfarë pasojash do të kishte nëse marrëveshja nuk zbatohet dhe mbetet vetëm në letër. Ai propozoi që në marrëveshje të përcaktohen dispozita obliguese për zbatimin e saj.

Në marrëveshjen me AKKVP caktohet dispozita obliguese për zbatimin e saj

“Kjo marrëveshje në rast se nuk zbatohet, a ka pasoja? Arsyeja e parashtrimit të pyetjes është se shumica e marrëveshjeve që bëhen, e para nuk ka dispozita imperative aty, dhe çka nëse nuk zbatohet dhe mbetet vetëm në letër, propozimi im është që të paktën me qëllim që të mos mbetet vetëm e formalizuar atje, të ketë një dispozitë obliguese, të përcaktohen pasojat në rast se nuk zbatohen këto marrëveshje”, tha njëri nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor.

KGjK autorizoi më pas duke e hedhur në votim nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës

KGJK autorizon nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me AKKVP

“Me votë anonime autorizohet kryesuesi i KGjK-së të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Vendimi hyn në fuqi me datë 22 tetor”, tha kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Rrustem Thaçi.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka shqyrtuar dhe miratuar edhe pikat e tjera të rendit të ditës, si zgjedhja e administratorit në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj, me mandat katërvjeçar, me të drejtë vazhdimi dhe do të fillojë nga data 22 tetor 2026, ndryshimin e planit të punës së Gjykatave Themelore në Ferizaj, Prishtinë, Gjakovë, shpalljen e konkursit për administrator të Gjykatës Administrative dhe themelimin e Komisionit për Rekrutimin e Administratorit të Gjykatës Administrative, si dhe Themelimin e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së ish-kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, autorizimin e kryesuesit të KGJK-së për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, emërimin e kryesuesit të Panelit për Lirim me Kusht dhe anëtarit rezervë, të deleguar nga Gjykata Supreme e Kosovës, Burim Ademi.

Po ashtu, u propozua që gjyqtarja Ujvesë Hysenaj, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, t’i propozohet Ministrisë së Drejtësisë si anëtare e Komisionit Vlerësues për shqyrtimin e aplikacioneve të kandidatëve për licencim si ekspertë gjyqësorë.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e KGJK-së shqyrtuan edhe rekomandimet e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës.

Postime të Ngjashme