Tirana ishte e gjitha në kaos edhe përgjatë kësaj të diele. Sasi të mëdha molotovësh, fishekzjarrësh e gurësh u hodhën në drejtim të policisë edhe gjatë mbrëmjes se diel, ndonëse situata më e rrezikshme ishte ajo e pasdites te Sheshi Skëndërbej, ku pati përplasje të fortë mes policisë e disa protestuesve që qëllonin me shkopinj.
Bulevardi dëshmorët e Kombit disa herë gjatë ditës u kthye në skenë përballje mes protestuesve që sulmonin dhe policisë që përgjigjej me gaz lotsjellës e ujë, por edhe me plumba gome.
Gjatë mbrëmjes protestuesit u rikthyen sërish te selia e Partisë Socialiste për ta sulmuar. Po ashtu përplasje të forta ka pasur edhe tek Banka e Shqipërisë
Gjatë ditës pati disa të shoqëruar. Flakëve të shkaktuara nga molotovi nuk i shpëtoi as komisariati i policisë nr 3 në rrugën “Mine Peza”, por as Ministria e Brendshme, ndërsa sulme pati te ministria e Infrastrukturës dhe tek ajo e Bujqësisë.
Gjatë mbrëmjes protestuesit sulmuan me molotovë, gurë dhe fishekzjarrë forcat e policisë. Pas përplasjeve dhe ndërhyrjes së efektivëve me gaz lotsjellës, ujë dhe plumba gome, një pjesë e protestuesve u drejtuan dhe u strehuan në selinë e Partisë Demokratike, ku më pas efektivët kanë shkuar dhe kanë përdorur gaz lotsjellës..
Konfirmohen 19 efektivë policie të lënduar, 4 protestues, mes tyre 1 mitur, një gazetare dhe 4 kalimtarë.
Arrestimet nga forcat speciale të Policisë së Shtetit kanë vijuar edhe në orët e vona të mbrëmjes në Tiranë, në kuadër të situatës së krijuar gjatë protestave.

