Pre. Tet 16th, 2026

KFOR zbulon detaje nga takimi i gjeneralit Vergori me shefin e ushtrisë serbe

Komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajori italian Roberto Vergori, është takuar të premten në Beograd me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviq.

Në takim është diskutuar situata aktuale e sigurisë në Kosovë, problemet dhe sfidat me të cilat përballet komuniteti serb, si dhe aktivitetet e Forcave të Armatosura të Serbisë dhe KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

Gjatë bisedës është theksuar rëndësia e komunikimit të hapur dhe të drejtpërdrejtë ndërmjet Forcave të Armatosura të Serbisë dhe KFOR-it në të gjitha nivelet. Ky komunikim është vlerësuar i rëndësishëm për përcjelljen e situatës në terren dhe për parandalimin e shfaqjes dhe përshkallëzimit të krizave.

Mojsiloviq ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet e ndjeshme dhe ka pretenduar se serbët në Kosovë nuk ndihen të sigurt, si dhe se të drejtat dhe liritë e tyre themelore janë të rrezikuara.

Ai ka theksuar se Forcat e Armatosura të Serbisë e konsiderojnë KFOR-in si të vetmin formacion të armatosur legjitim në Kosovë. Në këtë kontekst, Mojsiloviq i ka kërkuar gjeneralit Vergori që forcat ndërkombëtare të zbatojnë mandatin e tyre në mënyrë të vazhdueshme dhe të paanshme, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe marrëveshjet e tjera të nënshkruara.

Ai gjithashtu ka kërkuar që të sigurohet një mjedis i qetë dhe i sigurt, si dhe liria e lëvizjes, veçanërisht për komunitetin serb në Kosovë.

Në fund të takimit, shefi i ushtrisë serbe e ka uruar Vergorin për marrjen e detyrës së re dhe ka shprehur pritjen që bashkëpunimi ndërmjet Forcave të Armatosura të Serbisë dhe KFOR-it gjatë mandatit të tij të jetë profesional dhe në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon.

Postime të Ngjashme