Bashkëveprimtari i heroit Idriz Rrecaj, Gani Koci, ka kujtuar veprimtarinë dhe sakrificën e tij për lirinë e Kosovës, duke veçuar fjalët që i kishin mbetur në kujtesë nga bashkëpunimi i tyre “ja vlen të vdesësh për këtë tokë”.
Në Akademinë Përkujtimore të organizuar nga Komuna e Skenderajt, me rastin e rivarrimit të mbetjeve mortore të Idriz Rrecajt, Koci tha se ai ishte një patriot i madh, veprimtar i palodhshëm dhe njeri që do të mbetet ndër figurat më të shquara dhe të nderuara të Skenderajt.
Ai u shpreh se është e vështirë të flitet për Rrecajn, veçanërisht tani kur, pas shumë vitesh, janë gjetur mbetjet e tij mortore dhe më në fund dihet vendi ku do të prehet.
Ai kujtoi edhe ditët para se Rrecaj të zhdukej nga forcat serbe.
Koci kujton ditët e fundit me Rrecajn
“Për Idrizin është bukur vështirë të flitet, sidomos sot në këto momente kur ne më në fund gjetëm eshtrat e tij dhe mund t’ia dimë edhe varrin tash ku e ka. Në fillimet e viteve 90-91 kam dal nga burgu dhe kontaktet e para i kam pasur me të dhe që në fillim me sugjerimet e tij jam angazhuar me aktivitet në LDK. Nga ajo ditë deri pak ditë para se aj të zhdukej, ne kemi qenë vazhdimisht bashkë dhe në të gjitha proceset dhe veprimet e asaj kohe që kanë ndodhur. Një gjë që mund të thuhet për të është ajo që vërtetë ai përpos që ishte një patriot i madh, një veprimtar i palodhshëm, ai para së gjithash ishte një njeri, i cili i ka bërë të gjithë qytetarët e komunës së Skenderajt por edhe sot ta mbajnë mend si një nga figurat më të shquara dhe nderuara”, tha Koci.
Duke kujtuar karakterin dhe vizionin e Rrecajt, Koci tha se ai ishte njeri i vendosur, i rreptë, por i drejtë.
Sipas tij, Kosovës i nevojitet një udhëheqje dhe qeverisje që do ta ketë mendjen dhe vizionin e tij.
Koci flet për karakterin dhe vizionin e Rrecajt
“E vetmja që e mbaj mend që më është ngulitur, fjalët e tij ishin “ja vlen të vdesësh për këtë tokë” dhe vërtetë ai shkoi si të gjithë të tjerët dhe do të mbetet si gjithë të tjerët në kujtesën tonë. Na mungon të gjithëve, shumë, ka qenë vizionar, shumë i vendosur, i rreptë por i drejtë dhe liderit gjithmonë i nevojitet rreptësia, por bashkë me të edhe drejtësia. Ne kemi qenë idealist dhe vazhdojmë të jemi dhe ne asnjëherë nuk jemi të kënaqur me atë që e arrijmë, gjithmonë synojmë më mirë, por duke pasur parasysh se ku kemi qenë dhe e shohim këtë shesh këtu ku ishte në 98-99 dhe ku është sot, tregojnë ndryshimet. Na duhet një udhëheqje, një qeverisje që do të ketë mendjen e vizionin e tij”, tha ai.
Në mesin e të pranishmëve në ceremoninë përkujtimore ishin kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, kreu i familjes heroike Jashari, Rifat Jashari, deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe bashkëveprimtarë të heroit.
Ceremonia e varrimit të mbetjeve mortore të Idriz Rrecajt është paraparë të mbahet sot, në orën 16:00.
Idriz Rrecaj ishte aktivist dhe një nga themeluesit e degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Skenderaj. Gjatë luftës ishte angazhuar edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si këshilltar i Jetullah Gecit, komandant i Brigadës 112 “Arben Haliti”.
Në shtator ishte bërë e ditur se analizat e ADN-së kanë konfirmuar se tri nga mbetjet mortore të gjetura në Kalludër dhe Jabukë të Zubin-Potokut u përkasin personave nga grupi i njohur si “Grupi i Intelektualëve”.
Bëhet fjalë për Idriz Rrecajn, Adem Beqirin dhe Salih Mëziun, aktivistë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer nga forcat serbe më 19 prill 1999, të cilët kanë figuruar të zhdukur që nga ajo kohë. /KosovaPress/

