Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku janë diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë te proceset pas zgjedhjes së Presidentes dhe votimi i ligjit lidhur me Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gjatë mbledhjes, Aleanca ka rikonfirmuar qëndrimin e saj si subjekt opozitar, duke theksuar se do të vazhdojë të ofrojë alternativa konkrete dhe të matshme ndaj qeverisjes, si dhe të mbrojë interesin shtetëror dhe atë të qytetarëve.
Sa i përket proceseve në Hagë, AAK-ja ka ritheksuar qëndrimin e saj në mbrojtje të luftës çlirimtare dhe të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas Aleancës, ndihma ligjore për krerët e UÇK-së duhet të trajtohet me seriozitet shtetëror, pa ndërhyrje dhe instrumentalizim nga politika ditore.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua edhe fuqizimit të strukturave të partisë në të gjitha nivelet organizative.
Në këtë kuadër, të shtunën në Prishtinë do të mbahet takimi i parë i gjerë me strukturat e Aleancës, ku do të prezantohet platforma politike dhe hapat e ardhshëm të angazhimit politik.
Në të njëjtën mbledhje, Kryesia e AAK-së ka miratuar edhe raportin financiar tremujor.
Po ashtu, është vendosur që nënkryetari i parë i partisë, Besnik Tahiri, deri në mbledhjen e ardhshme t’i paraqesë Kryesisë propozim-statutin dhe propozim-programin për themelimin e Akademisë Politike të së Djathtës të Aleancës.

