Kosova ka regjistruar 17 raste të vrasjeve nga janari deri në shtator të këtij viti, prej të cilave 12 janë cilësuar si vrasje të rënda, ndërsa dy raste si vrasje nga pakujdesia.
Shqetësimi për sigurinë është rikthyer pas dy ngjarjeve të rënda që ndodhën brenda dy ditësh në Gjilan, ku humbën jetën tre persona.
Ngjarja e parë ndodhi të premten në Livoç të Ulët, ku një burrë dyshohet se vrau bashkëshorten dhe vëllain e saj. Pas ngjarjes, ai u dorëzua në polici dhe ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ndërkaq, të dielën, në fshatin Pogragjë, një baba dyshohet se i mori jetën djalit të tij. I dyshuari vazhdon të jetë në arrati.
Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se gjatë gjithë vitit 2025 në vend janë regjistruar gjithashtu 17 vrasje.
Parandalimi i dhunës dhe trajtimi me kohë i konflikteve mbeten sfida të rëndësishme për shoqërinë dhe institucionet e sigurisë.


