Hën. Tet 12th, 2026

Rihapet gjykimi për vdekjen e Maria Clara Urdangaray, Endrit Nika përballet sërish me drejtësinë

Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të vazhdojë sot rigjykimin ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e rëndë të shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, e cila humbi jetën në gusht të vitit 2023, pasi ra nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë.

Rasti është kthyer në rigjykim pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e aprovoi ankesën e mbrojtjes. Më 19 shkurt 2026, Nika ishte dënuar me 18 vjet burgim, ndërsa në seancën e parë të procesit të ri, më 1 shtator, ai ishte deklaruar sërish i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ngjarja kishte ndodhur më 1 gusht 2023, pas një mosmarrëveshjeje mes Nikës dhe të dashurës së tij. Prokuroria pretendon se fillimisht ai e kishte goditur të renë dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, përplasja kishte vazhduar edhe brenda dhomës së hotelit, ku i akuzuari dyshohet se, përmes goditjeve dhe shtyrjeve, e kishte hedhur Urdangaray nga dritarja e katit të gjashtë.

E reja argjentinase kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, pavarësisht trajtimit mjekësor, kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Postime të Ngjashme