Riemërimi i Agron Bajramit në pozitën e kryenegociatorit të Kosovës për dialogun teknik me Serbinë vjen në një periudhë kur procesi negociator mbetet i bllokuar dhe ende nuk ka një datë të caktuar për rifillimin e bisedimeve.
Njohësit e procesit të dialogut vlerësojnë se ecuria e tij do të varet nga qasja e Bashkimit Evropian, zbatimi i marrëveshjeve të arritura dhe mënyra se si Kosova do t’i përfaqësojë interesat e saj në raport me Serbinë.
Profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, konsideron se vazhdimi i dialogut duhet të shoqërohet me ndryshime në qasjen e Bashkimit Evropian. Sipas tij, Kosova duhet t’i përmbushë zotimet që dalin nga marrëveshjet e arritura, por njëkohësisht të kërkojë trajtim të barabartë nga Brukseli.
Arifi vlerëson se pjesa më e madhe e çështjeve teknike është trajtuar dhe se tani fokusi duhet të jetë te zbatimi i marrëveshjeve. Ai ka shprehur rezerva për vazhdimin e negociatave me Serbinë pa u qartësuar disa çështje që lidhen me procesin dhe raportin e Bashkimit Evropian me palët.
Ndërkaq, ish-diplomati Albert Prenkaj e sheh riemërimin e Bajramit si një mundësi për të intensifikuar komunikimin me institucionet evropiane dhe për të lehtësuar kontaktet me zyrtarët ndërkombëtarë.
Sipas Prenkajt, përvoja diplomatike e Bajramit dhe njohja e tij me institucionet në Bruksel mund të jenë të dobishme në këtë proces. Ai nuk konsideron se emërimi i tij nënkupton ulje të nivelit të përfaqësimit të Kosovës, duke theksuar se ambasadori përfaqëson shtetin dhe mund të zhvillojë komunikim me palët përkatëse.
Prenkaj ka vlerësuar gjithashtu se krizat e vazhdueshme institucionale dhe kushtetuese në Kosovë, si dhe zhvillimet politike në Serbi, kanë ndikuar në ngecjen e dialogut. Ai ka theksuar se nga Kosova kërkohet të rikthehet në negociata dhe të përmbushë përgjegjësitë e marra në kuadër të procesit të vitit 2023.
Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit mbeten në fokus
Kosova dhe Serbia arritën në shkurt të vitit 2023 marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, ndërsa në mars të po atij viti u pajtuan në Ohër për aneksin e zbatimit.
Megjithatë, procesi është përballur me vështirësi të vazhdueshme. Një nga zhvillimet që ndikoi në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve ishte sulmi i armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës.
Prishtina ka akuzuar Serbinë për përfshirje në këtë sulm, ndërsa Beogradi i ka mohuar akuzat. Milan Radoiçiqi, i cili është akuzuar në lidhje me rastin, vazhdon të jetë në Serbi.
Në këto rrethana, mbetet të shihet nëse riemërimi i Agron Bajramit do të ndikojë në rifillimin e bisedimeve dhe në çuarjen përpara të marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

