Die. Tet 11th, 2026

Musa: Ndryshimet në Ligjin për Specialen synojnë gjykim të drejtë dhe objektiv

Avokati Skënder Musa e ka mirëpritur miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke vlerësuar se këto ndryshime synojnë garantimin e një procesi të drejtë gjyqësor.

Sipas Musës, ndryshimet ligjore synojnë kufizimin e fushëveprimit të Gjykatës Speciale dhe përafrimin e ligjit me propozimin fillestar të Këshillit të Evropës, që lidhet me raportin e Dick Marty-t dhe veprat që kanë të bëjnë me krimet e luftës.

Ai ka theksuar se ndryshimet nuk paragjykojnë vendimet e gjykatës, por synojnë krijimin e kushteve për një proces më objektiv dhe të drejtë për të gjitha palët e përfshira.

“Është mirë që kalon ligji. Me këtë ligj synohet vetëm që të garantohet procesi i drejtë gjyqësor. I kufizohet fusha e veprimit të gjykatës. Mirëpo, me ligj nuk paragjykohet gjykimi dhe besoj që e ka bërë një zgjidhje të mirë”, ka deklaruar Musa.

Avokati ka sqaruar se kompetencat e Dhomave të Specializuara duhet të lidhen me veprat që kanë të bëjnë me krimet e luftës, duke argumentuar se veprat që nuk ndërlidhen me këto krime nuk kanë qenë pjesë e kompetencave të kësaj gjykate.

“Plotësim-ndryshimi i ligjit është që të kthehet në origjinën e propozimit nga Këshilli i Evropës për raportin e Dick Marty-t dhe veprat që lidhen me krimet e luftës. Veprat që nuk lidhen me krimet e luftës nuk kanë qenë dhe as tani nuk janë kompetencë e Dhomave të Specializuara”, ka thënë ai.

Duke folur për ndikimin e ndryshimeve në proceset gjyqësore, Musa ka vlerësuar se ato nuk përcaktojnë drejtpërdrejt vendimet që do të merren, por synojnë të krijojnë më shumë objektivitet për palët në procedurë, trupat gjykues dhe kolegjet gjyqësore.

“Sa i përket vendimeve në drejtësi, ligji nuk ndikon, mirëpo krijon objektivitet te palët, te trupi gjykues dhe te kolegjet”, ka përfunduar Musa.

Ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale u miratuan në lexim të dytë më 6 tetor, me 88 vota për. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta, përfshirë edhe nga ambasadat e akredituara në Prishtinë dhe Bashkimi Evropian.

Postime të Ngjashme