Politologu Agon Maliqi i ka bërë thirrje presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, që të jetë e kujdesshme në përcaktimin e kursit të saj politik, duke paralajmëruar se në ditët në vijim mund të përballet me presione nga drejtime të ndryshme.
Në një postim në Facebook, Maliqi ka theksuar se shoqëria civile dhe mediat mund të jenë aleatët më të natyrshëm të presidentes në përmbushjen e detyrave të saj.
Ai ka vënë në pah rëndësinë e ndërtimit të një konsensusi të brendshëm politik për çështjet strategjike, përfshirë proceset që lidhen me Hagën, integrimin evropian dhe dialogun me komunitetet joshumicë.
Po ashtu, Maliqi ka theksuar nevojën për mbrojtjen e hapësirës demokratike dhe të institucioneve të pavarura nga interesat korruptive, pavarësisht nëse ato janë të vjetra apo të reja.
Sipas tij, një presidencë që bashkon spektrin politik dhe shoqërinë civile mund t’i ndihmojë Kosovës të largohet nga polarizimi politik.
“Me një presidencë të vërtetë konsensuale dhe të hapur ndaj gjithë spektrit politik dhe shoqërisë civile, e kemi një mundësi të daljes nga cikli i politikës polarizuese dhe vetëshkatërruese. Çfarëdo kursi tjetër i presidencës e zhyt Kosovën edhe më thellë në kaos”, ka shkruar Maliqi.

