Pre. Tet 9th, 2026

Rudolph: Kosova mund ta rifokusojë agjendën evropiane pas tejkalimit të krizës institucionale

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka vlerësuar se zgjidhja e krizës institucionale i krijon vendit mundësi të reja për të avancuar në rrugën drejt integrimit evropian. Ai ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën, duke theksuar rëndësinë e institucioneve stabile për ndjekjen aktive të kësaj agjende.

Rudolph i bëri këto komente gjatë pritjes së organizuar me rastin e Ditës së Bashkimit Gjerman, ku foli për marrëdhëniet dypalëshe dhe sfidat që e presin Kosovën në procesin evropian.

“Pas zgjidhjes së krizës institucionale, pres me padurim të punoj me energji të re, si në bashkëpunimin tonë dypalësh, ashtu edhe në agjendën evropiane të Kosovës. Duke krijuar institucione stabile, vendi tashmë e ka vendosur veten në pozitë që ta ndjekë sërish në mënyrë aktive këtë agjendë”, deklaroi ambasadori.

Megjithatë, ai paralajmëroi se rruga përpara nuk do të jetë gjithmonë e lehtë. Sipas tij, procesi do të kërkojë diskutime të mëtejshme dhe vendime të vështira, si brenda Kosovës, ashtu edhe në raport me partnerët e saj. Rudolph shtoi se edhe përvoja e Gjermanisë dëshmon se përparimi në procese të tilla kërkon përballje me sfida të rëndësishme.

Ambasadori gjerman theksoi se Kosova duhet të vazhdojë ta ndjekë synimin për integrim të plotë në strukturat evropiane. Ai pranoi se ekziston padurim në vend për shkak të kohëzgjatjes së procesit, duke thënë se e kupton dhe e ndan këtë shqetësim.

Sipas Rudolph, integrimi evropian i Kosovës mund të jetë sot edhe më i rëndësishëm sesa në fillim të këtij rrugëtimi. Ai këtë e lidhi me ndryshimet e mëdha në situatën politike dhe të sigurisë në Evropë, të cilat, sipas tij, po zhvillohen në përmasa që kontinenti nuk i ka përjetuar prej shumë vitesh.

Në këtë kontekst, Rudolph përmendi luftën e Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka hyrë në vitin e pestë, si dhe sulmet hibride ndaj Gjermanisë dhe disa vendeve të tjera. Ai vlerësoi se, përballë këtyre zhvillimeve, Kosova nuk duhet të përqendrohet vetëm në çështjet e brendshme, por ta shohë integrimin evropian edhe si kontribut për paqen dhe sigurinë në kontinent.

“Në këtë mjedis, Kosova tani nuk mund dhe nuk duhet të shikojë më vetëm nga brenda, por përkundrazi duhet ta shohë integrimin e saj evropian si një kontribut aktiv për paqen dhe sigurinë në Evropë”, theksoi ambasadori Rudolph.

Haxhiu: Zgjedhja e presidentes së re sjell stabilitet institucional

Në të njëjtën pritje, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cilësoi lajm të mirë zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes së Republikës, duke e lidhur këtë zhvillim me stabilitetin institucional të vendit.

“Sonte vijmë në këtë festë edhe me një lajm të mirë nga shtëpia jonë, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. E zgjodhëm presidenten e re të Republikës së Kosovës dhe tash do të kemi stabilitet institucional”, u shpreh Haxhiu.

Ajo bëri edhe një koment me humor lidhur me kohën e organizimit të festës, duke thënë se ambasadori gjerman ndoshta kishte pritur që Kosova ta zgjidhte presidenten e re para organizimit të pritjes.

Haxhiu theksoi se Justina Shiroka-Pula është gruaja e tretë që zgjidhet presidente e Kosovës, apo e katërta nëse llogaritet edhe periudha kur ajo vetë ka ushtruar detyrën e presidentes.

Ajo vuri në pah gjithashtu përfaqësimin e grave në udhëheqjen e Kuvendit, duke theksuar se katër nga gjashtë anëtarët e Kryesisë janë gra: kryetarja e Kuvendit dhe tri nënkryetare, përfshirë Emilija Rexhepin.

Në fund, Haxhiu e përmendi Gjermaninë si shembull për rolin e grave në udhëheqjen e vendit, ndërsa rikujtoi rëndësinë historike të bashkimit gjerman, të shënuar më 3 tetor 1990.

Postime të Ngjashme