Enj. Tet 8th, 2026

Analistët: Përfundimi i krizës institucionale i hap rrugë Kosovës për t’u përballur me sfidat e reja

Analistët politikë e kanë vlerësuar si zhvillim pozitiv tejkalimin e krizës institucionale dhe zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës.

Sipas tyre, funksionalizimi i institucioneve është një hap i rëndësishëm për vendin, veçanërisht në një periudhë kur Kosova përballet me sfida të ndryshme politike dhe institucionale.

Publicisti Reshat Sahitaj e ka mirëpritur përfundimin e krizës, duke e cilësuar zgjedhjen e presidentes si një zhvillim të rëndësishëm për Kosovën.

“Është akt sublim zgjedhja e presidentes. Është sukses i madh i akterëve për zgjedhjen e presidentes, e cila është kryetare e Akademisë së Shkencave. Shpresoj që ajo do të kontribuojë shumë në të ardhmen për Kosovën”, tha Sahitaj.

Edhe analisti Ibrahim Shala ka shprehur vlerësim për zhvillimet e fundit, duke thënë se meritojnë përgëzim të gjithë ata që kanë ndihmuar në tejkalimin e ngërçit institucional.

“Fatmirësisht, duhet përgëzuar ata që kanë kontribuar për daljen nga kriza. Zgjedhja e presidentit është shumë e mirë dhe e drejtë”, tha Shala.

Ai ka folur gjithashtu për miratimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e konsideruar këtë një zhvillim që krijon një realitet të ri institucional dhe sjell perspektiva, por edhe sfida të reja për Kosovën.

Në anën tjetër, avokati Armend Shkodra ka mirëpritur kompletimin e institucioneve të vendit, por ka paralajmëruar se Kosova vazhdon të përballet me çështje të ndjeshme.

Ai ka përmendur veçanërisht situatën e krijuar pas aktakuzës së ngritur më 16 shtator ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

“Është fatkeqësi që ndodhemi në një situatë tejet delikate për shtetësinë e Kosovës, për raportet ndërkombëtare, për shkak të pasojave që mund të ndodhin nga aktgjykimi i shpallur në Speciale”, tha Shkodra.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se kompletimi i institucioneve është i domosdoshëm për funksionimin e shtetit dhe për përballimin e sfidave që e presin Kosovën.

Postime të Ngjashme