Enj. Tet 8th, 2026

KV Drita me medalje bronztë në Kupën Ballkanike

KV Drita e ka përmbyllur me medaljen e bronztë pjesëmarrjen në BVA Kupën Ballkanike 2026, e cila u zhvillua në Strumicë të Maqedonisë së Veriut.

Skuadra gjilanase pësoi humbje në ndeshjen e fundit ndaj CSKA Sofjes me rezultat 3–1, por falë fitores 3–1 ndaj Nakovski Volley në ndeshjen e parë, arriti të sigurojë vendin në podium.

Drita e nisi mirë përballjen ndaj skuadrës bullgare, duke luftuar pikë për pikë në setin e parë, por CSKA arriti ta fitojë atë 25:19.

Seti i dytë ishte edhe më i ngushtë, megjithatë CSKA tregoi më shumë qetësi në momentet vendimtare dhe e fitoi 25:23, duke kaluar në epërsi prej 2–0 në sete.

Reagimi i Dritës erdhi në setin e tretë, ku gjilanastet u angazhuan maksimalisht dhe me lojë më efikase arritën të triumfojnë 25:22, duke e ngushtuar epërsinë e kundërshtarit.

Megjithatë, CSKA Sofja e riktheu kontrollin në setin e katërt, të cilin e fitoi 25:15, për ta mbyllur ndeshjen 3–1.

Pavarësisht humbjes, KV Drita e siguroi medaljen e bronztë në BVA Kupën Ballkanike, duke regjistruar një paraqitje të rëndësishme ndërkombëtare dhe duke përfaqësuar Kosovën në këtë garë rajonale.

KosovaPress

Postime të Ngjashme