Ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka reaguar pas shkarkimit të Blerim Isufajt nga pozita e kryeprokurorit të shtetit.
Sipas Hotit, kjo është bërë për shkak se kryeministri Albin Kurti po kërkon drejtësi që i përshtatet pushtetit, transmeton IndeksOnline.
“Sepse kur prokurori bëhet problem vetëm pse nuk është i kontrollueshëm, problemi nuk është prokurori. Problemi është pushteti që kërkon kontroll mbi drejtësinë” shkroi Hoti.
Ky është postimi i plotë i tij:
Aktakuza për krimet e luftës në Prekaz. Hetime mbi skandalet e ministrave të qeverisë Kurti. Por, “performancë e dobët”. Dhe çfarë ndodhë? Shkarkohet Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj.
Një njeri i luftës për lirinë e Kosovës, një zyrtar i shtetit me integritet të lartë profesional sot largohet nga detyra pikërisht kur Prokuroria po merret me dosje tejet të ndjeshme.
Qeveria Kurti nuk po kërkon drejtësi të pavarur, por drejtësi që i përshtatet pushtetit.
Sepse kur prokurori bëhet problem vetëm pse nuk është i kontrollueshëm, problemi nuk është prokurori. Problemi është pushteti që kërkon kontroll mbi drejtësinë.
Kosova nuk u krijua si një shtet ku Qeveria vendos se kë duhet ta hetojë drejtësia.
Pushtetet ndryshojnë, veprimet e turpshme si ky i sotmi mbeten. Ligji vonon, por e gjen secilin.

