Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Kosovë ka përcjellë disa mesazhe lidhur me zhvillimet politike në vend, aktgjykimin e Gjykatës Speciale dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Duke folur për aktgjykimin e fundit në Hagë, von der Leyen ka thënë se asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. Ajo ka kujtuar represionin dhe krizën humanitare të vitit 1999, duke theksuar se Bashkimi Evropian ka qëndruar pranë Kosovës që nga ajo periudhë.
Sa i përket vendimit të Dhomave të Specializuara, presidentja e Komisionit Evropian ka theksuar se bëhet fjalë për përgjegjësi individuale të personave të gjykuar dhe se lufta dhe rezistenca e Kosovës nuk kanë qenë objekt i gjykimit. Ajo ka kërkuar respektimin e mandatit të institucioneve të drejtësisë.
Von der Leyen ka vlerësuar edhe reagimin e institucioneve dhe liderëve politikë të Kosovës pas aktgjykimit, duke bërë thirrje për qetësi. Ndërkohë, gjatë vizitës së saj ajo është përballur edhe me protesta pranë Aeroportit të Prishtinës, ku protestuesit kanë shprehur kundërshtimin ndaj vendimit të Speciales.
Në takimet me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, temë e rëndësishme ka qenë edhe rruga drejt Bashkimit Evropian. Von der Leyen ka përsëritur se e ardhmja e Kosovës është në BE, ndërsa ka theksuar rëndësinë e reformave, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të institucioneve demokratike.
Një tjetër çështje e diskutuar ka qenë edhe iniciativa për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Von der Leyen ka thënë se vendimi për këtë i takon Kosovës, por ka nënvizuar se çdo ndryshim nuk duhet ta cenojë pavarësinë e gjyqësorit.

