Instituti i Kosovës për Drejtësi po vazhdon aktivitetin për mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve në mbështetje të nismës për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Kosovës. Aktiviteti po zhvillohet në Prishtinë, ndërsa IKD-ja ka zhvilluar të njëjtën fushatë edhe në komunat e tjera të vendit.
Nisma përmban dy propozime kryesore. E para synon që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të përcaktohet shprehimisht si vepër penale. Propozimi i dytë lidhet me përdorimin e parasë dhe burimeve publike për përfitime elektorale gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.
Nga IKD-ja është thënë se këto ndryshime synojnë forcimin e llogaridhënies së institucioneve, mbrojtjen e rendit kushtetues dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet publike.
Për ta proceduar nismën në Kuvendin e Kosovës nevojiten së paku 10 mijë nënshkrime të qytetarëve. Sipas IKD-së, mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdojë edhe në komuna të tjera.

