Enj. Tet 1st, 2026

Kurti është optimist për zgjedhjen e presidentit: S’kemi emër të ri për president

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është optimist për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit.

Kurti ka thënë se ditët në vijim do të ketë takime me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për çështjen e presidentit.

Kosova ka afat deri më 6 tetor të zgjedh presidentin, në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje të reja më së largu më 15 nëntor.

Kurti: Jam optimist për zgjedhjen e presidentit

“Duhet të ketë takime, diskutime dhe pajtime. E kam parë se është e mundshme, ekziston rruga që mund të ecim bashkë. Me 99 vota për në deklaratën e së hënës janë një dëshmi e qartë për këtë. Nuk besoj se këto diskutime duhet të bëhen në media, por në mes krerëve të partive, në biseda të brendshme dhe pastaj të publikohen rezultatet e këtyre takimeve. Unë jam optimist sepse e kam parë se është e mundshme. Përveç që kemi vullnet, kemi edhe mundësi, e kur ekziston vullneti dhe mundësia, është mëkat të mungojë suksesi”, tha ai në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën.

I pyetur se a ka kandidat konsensual për president, ai tha se për LVV-në qëndron ende marrëveshja me LDK-në për emrin e Bekim Sejdiut, pavarësisht se i njëjti është tërhequr nga kandidatura.

Kurti: S’ka kandidat të ri për president, ne e kemi marrëveshjen politike me LDK-në dhe duhet ta respektojmë

“Nga pikëpamja e LVV-së, ne kemi marrëveshje politike dhe duhet të respektojmë atë. Nuk kemi emër të ri ose tjetër. Nëse do të jetë rasti për të ardhmen, natyrisht se do të njoftoheni”, përfundoi Kurti.

Postime të Ngjashme