Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kreu qeveritar, gjatë një takimi në New York me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, dhe përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor, tha se Kosovës duhet t’i jepet pa vonesa të mëtejme statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE.
Veç Kurtit dhe Kallasit, në takim morën pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, dhe ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë dhe Hercegovinës, Dino Konakoviq.
Ky është postimi i plotë i Kurtit në rrjetin social Facebook:
Dje, në New York, mora pjesë në drekën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian, Kaja Kallas, me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Statusi i shtetit kandidat për anëtarësim pa vonesa të mëtejme, përveçse i merituar, do të duhej të ishte përgjigjja e Bashkimit Evropian për besnikërinë e Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe përcaktimit të qartë strategjik euroatlantik, por edhe veprim inkurajues për hov të shtuar në përkushtimin tonë për reforma e zhvillim.
Mbajtja në sirtar e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, përderisa jemi tërësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe kemi shënuar përparim të rëndësishëm në pothuajse tërë fushat, përveçse padrejtësi ndaj Republikës së Kosovës, do të ishte inkurajim i aktorëve destabilizues rajonalë dhe më gjerë.
Republika e Kosovës nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i fqinjit të saj verior, shtetit që mbron e shpërblen kriminelët e këtij shekulli dhe glorifikon të tjerët që kryen krime kundër njerëzimit, krime lufte e gjenocid në fund të shekullit të kaluar, në luftërat e ish-Jugosllavisë. Sikurse, mohon e fsheh krimet dhe refuzon të bashkëpunojë në zbardhjen e të vërtetës për të zhdukurit me dhunë, duke pamundësuar drejtësinë. Ndërsa vijon me shkelje të të drejtave dhe spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

