Edicioni i katërt i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë nis sot në Prishtinë, duke sjellë për 5 ditë aktivitete kulturore, edukative dhe artistike për fëmijët.
Festivali hapet në orën 11:00, në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti”, ndërsa do të zgjasë deri më 27 shtator.
Ceremonia e hapjes do të shoqërohet me fjalime nga organizatorët, mbështetësit dhe përfaqësuesit e institucioneve partnere. Biblioteka “Hivzi Sylejmani” do të ndajë edhe çmimet për lexuesit e vitit.
Programi i ditës së parë vazhdon nga ora 11:30 me aktivitetin “Palaço me shokë”, me palaço dhe maskota për fëmijët.
Nga ora 12:30, shtëpia botuese ALBAS do të promovojë librat e serisë “Më quajnë…”, kushtuar Majlinda Kelmendit dhe Nexhmije Pagarushës.
Në orën 14:00, Bright Minds do të zhvillojë aktivitete në fushën STEM, ndërsa nga ora 15:00 Evolution Dance organizon aktivitetin “Kids Dance on Reading Day”.
Programi i ditës së parë përmbyllet me aktivitetin “Një ditë me zjarrfikësit”, nga ora 16:00 deri në 18:00. Fëmijët do të kenë mundësi të njihen nga afër me profesionin dhe punën e zjarrfikësve.
Gjatë festivalit, vizitorët mund të vizitojnë edhe Panairin e Librit për Fëmijë, ku prezantohen botime nga shtëpi botuese të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas organizatorëve, festivali synon të nxisë kulturën e leximit që nga fëmijëria dhe ta afrojë librin me gjeneratat e reja.
Organizata ETEA thotë se hulumtimet e saj për vitin 2024 tregojnë se 53% e qytetarëve të Kosovës nuk kanë arritur të përmendin 3 tituj librash që kanë lexuar gjatë jetës.
Përmes librave, autorëve, ilustruesve dhe aktiviteteve edukative e argëtuese, festivali synon që leximi të mos perceptohet vetëm si detyrim shkollor, por si shprehi dhe pjesë e jetës së përditshme.
Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë organizohet nga ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës.
Edicioni i katërt mbahet nga 23 deri më 27 shtator 2026.

