Hën. Sht 14th, 2026

Hoxha: Specialja na zgjoi për mënyrën si e kemi trajtuar luftën pas çlirimit

Konteksti i ri i krijuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara në Hagë ka nxitur reflektim për mënyrën se si është trajtuar UÇK-ja pas çlirimit. Kështu tha Eliza Hoxha në hapjen e konferencës kombëtare “Lufta për UÇK-në”, të organizuar nga platforma “Liria ka emër”, transmeton KosovaPress.

Hoxha tha se, përveçse janë sulmuar dhe cenuar figura të ndryshme të UÇK-së, nuk është bërë sa duhet për ruajtjen dhe dokumentimin e historisë së saj.

Sipas saj, ky është një moment kritik dhe historik për Kosovën, por edhe një moment i ndjeshëm për shoqërinë dhe shtetin.
“Ka një ironi në vetë titullin e konferencës ‘Lufta për UÇK-në’, domethënë sepse si duket në kontekstin e ri të krijuar nga Dhomat e Specializuara edhe ne jemi zgjuar në idenë e asaj se si e kemi trajtuar luftën e UÇK-së pas çlirimit. Çfarë kemi bërë ne për ta memorizuar atë? Çfarë kemi bërë ne për ta bërë atë pjesë të edukimit konstant për fëmijët dhe gjeneratat e reja, për ta për ta paketuar atë brenda hapësirave muzeale apo edhe për të shkruar për betejat e shumta të cilat kanë ndodhur, për luftëtarët të cilët nuk janë në mesin tonë, por edhe për ata që i kemi në mesin tonë dhe kanë qenë aktivë në jetën publike? Përtej që kemi, që thotë Ismaili,a kemi pështyrë e kemi pluhurosur në në në në karakteret e ndryshme duke e përdorur ndjenjën tonë personale karshi aktorëve të caktuar dhe kemi gjykuar, kemi bërë gjyq publik të panevojshëm karshi karaktereve që kanë vazhduar jetën publike, nuk kemi bërë ndonjë gjë tjetër të dinjitshme. Prandaj ky moment kritik, historik për Kosovën më së pari, por edhe për UÇK-në është i ndjeshëm sa për ata njerëz që janë atje tash e gjashtë vjet në Hagë po mbahen padrejtësisht, aq edhe për ne si shoqëri dhe si shtet”, tha Hoxha.

Ndërkaq, profesori Enver Hasani u shpreh optimist se Kosova do ta përballojë edhe këtë proces dhe do të dalë “faqebardhë” nga ajo që ai e quajti “stuhia e fundit”.

Ai tha se Kosova, si një shtet i ri dhe fragjil, është përballur me procese dhe sfida të shumta para dhe pas shpalljes së pavarësisë.
Diplomati Ylber Hysaj tha se projektin “Liria ka emër” e sheh si një përpjekje kundër harresës.

Ai foli edhe për periudhën e viteve nëntëdhjetë, kur kishte shkruar për ekzistencën e UÇK-së, duke kujtuar reagimet që kishte marrë atëherë.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se pas shpalljes së pavarësisë ka nisur një tjetër betejë politike dhe juridike për Kosovën, e lidhur me proceset në Dhomat e Specializuara.
Hoxhaj u shpreh optimist se ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë do të lirohen dhe do të kthehen në Kosovë.
Ai tha se lufta e UÇK-së ishte e veçantë edhe për faktin se, sipas tij, ishte mbështetur dhe “certifikuar” nga NATO.

Postime të Ngjashme