Hën. Sht 14th, 2026

Kurti kërkon kompromis për presidentin: Zgjedhjet nuk do të sillnin asgjë të re

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për zgjidhjen e çështjes së presidentit, duke thënë se vendi është shumë afër një marrëveshjeje politike dhe se shkuarja sërish në zgjedhje do të ishte e papërgjegjshme ndaj interesit publik.

Një ditë pas votimit të Qeverisë së re në Kuvendin e Kosovës, Kurti ka deklaruar se sfida kryesore tashmë është zgjedhja e presidentit, për çka tha se ekziston një marrëveshje politike ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në mbledhjen e parë solemne të Qeverisë, Kurti u ka bërë thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që ta zbatojnë marrëveshjen e arritur, duke iu referuar edhe kundërshtimeve të disa deputetëve të LDK-së.
“Sot zyrtarisht është dita e parë e punës nën qeverisjen e re të dalë nga procesi zgjedhor i 7 qershorit 2026, ndonëse realisht është veçse vazhdim i punës dhe i mandatit të ndërprerë pa nevojë e në dëm të vendit. Mirënjohës qytetarëve për besimin e dhënë, deputetëve të Kuvendit për votimin, urime të gjithëve. Përpara, kemi shumë punë e projekte. Sfida dhe probleme, dhe natyrisht që vetëm bashkarisht do t’ia dalim ballë. Qeverisja jonë e përbashkët është punë për qytetarin dhe mbrojtje për shtetin. Qeveria jonë është shërbim për publikun, jo privilegj për pakicën. Investimet tona do ta lartësojnë Republikën me qytetarë të sigurt, dhe do të zhvillojnë shoqërinë me familjet begatë”, ka theksuar Kurti.

Sipas tij, në vitin 2025 vendi shkoi në zgjedhje për shkak të bllokadës rreth formimit të institucioneve, ndërsa në vitin 2026 për shkak të çështjes së presidentit.

“Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025, pas një mandati të plotë qeverisës katërvjeçar, kemi pasur dy palë zgjedhje të paarsyeshme dhe që nuk sollën rezultat tjetër: 10 muaj bllokadë e barrikadim për të shkuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Qytetarët folën qartë, para viti të ri 2026. Por barrikadim sërish për të shkuar përsëri në zgjedhje, në 7 qershor 2026. Edhe një herë, qytetarët folën qartë. Në vitin 2025 shkuam në zgjedhje për shkak të barrikadimit për kuvendet qeverie. Ndërkaq, sivjet, në 2026, për shkak të barrikadimit për shkak të presidentit. Sot, kur po flasim, jemi me kuvend të konstituar e qeveri të zgjedhur, ndërkaq përpara kemi çështjen e presidentit dhe një marrëveshje politike me subjekteve Lëvizja e Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për kandidatin për president”, ka thënë Kurti.
Kurti ka shprehur shqetësimin për qëndrimin e disa deputetëve të LDK-së, të cilët, sipas tij, nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur mes dy subjekteve politike.

Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje.

“Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë, nga radhët e LDK-së, të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim, pas një procesi negociatash jo të lehta, të autorizuara nga kryesitë përkatëse të partive tona. Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë. Andaj, si kryeministër i Republikës së Kosovës, ju bëj thirrje liderëve politikë: kolegëve të mi, deputetëve, le ta zgjidhim çështjen e presidentit, t’i japim vendit tonë institucionin përputhje me vullnetin qytetar, dhe le të ecim përpara së bashku ashtu siç takon Republikës sonë e siç presin qytetarët tanë”, nënvizoi Kurti.
Ai ka përmendur si shembull kompromisin e arritur për konstituimin e Kuvendit, duke thënë se Qeveria e re u votua pasi u gjetën zgjidhje politike edhe për çështjet e nënkryetarëve të Kuvendit.
“Jam i bindur që edhe një proces i panevojshëm zgjedhor jo vetëm që nuk do të sillte diçka të re sa i përket mozaikut politik në vend, por përfundimisht do të ishte papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike. Se gjetja e një kompromisi politik është e mundur dhe sjell rezultat, është dëshmi vetë konstituimi i Kuvendit. Ne dje pranuam plotësisht kandidaturat për nënkryetarë të Kuvendit, nga PDK dhe LDK, përkundër vërejtjeve që kishim, dhe sot jemi me qeveri të re, përveçse Kuvend të konstituar. Një diskutim politik mes nesh, i hapur dhe i sinqertë, jam i bindur që do t’i sjellë vendit president të ri”, ka thënë Kurti.

Postime të Ngjashme