Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar për RTV21 pranimin e kërkesës së PDK-së lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Konfirmojmë dorëzimin e kërkesës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) përkitazi me konstituimin e Kuvendit”, thuhet në konfirmim.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, sot ka thënë se presin që Gjykata të vendosë masë për të parandaluar pasoja të mëtejshme juridike dhe institucionale.
Dje është votuar Qeveria Kurti 4 në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Kuvendi i Kosovës.
Tetë votat kundër erdhën nga deputetët e Listës Serbe, derisa ata të PDK-së, LDK-së e Aleancës nuk morën pjesë në seancë.
Votimit të Qeverisë i ka hapur rrugë vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, e mbajtur në orët e paradites.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka shpallur të konstituuar legjislaturën e 11-të pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së. Kjo parti e ka bojkotuar vazhdimin e seancës me arsyetimin se janë shkelur ligjet e Kushtetuta.

