Një person në Leposaviq po hetohet për “Lajmërim apo kallëzim të rremë”, pasi kishte raportuar veturën si të vjedhur, ndërsa një dëshmitar i intervistuar për rastin ka deklaruar se ai e kishte blerë të njëjtin automjet.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, i dyshuari, më 12 korrik 2026, kishte raportuar se i ishte vjedhur vetura.
I njëjti, disa ditë më vonë, e kishte kuptuar se kush ia kishte marrë automjetin, por nuk e kishte njoftuar policinë për këtë.
Duke u marrë me ketë rast të çuditshëm, forcat e rendit intervistuan një dëshmitar, i cili ka deklaruar se veturën e kishte blerë.
I dyshuari, që është raportuesi i makinës së vjedhur, është shoqëruar në stacionin policor dhe është intervistuar. Rasti ndaj tij, me vendim të prokurorit, është lënë në procedurë të rregullt.

