Ministria e Financave ka bërë me dije se do të nxjerrë në shitje obligacione në vlerë prej 20 milionë eurosh, përmes të cilave shteti merr para hua nga investitorët dhe ua kthen ato me interes.
Obligacionet janë një lloj i letrave me vlerë. Sipas një përkufizimi më të thjeshtë ekonomik, bankar e financiar kjo i bie që qytetarët, bizneset apo investitorët ia japin paratë shtetit për një periudhë të caktuar, ndërsa ai obligohet t’ua kthejë shumën e investuar dhe t’u paguajë interes.
Ministria ka njoftuar se më 9 shtator do të mbahet ankandi i tetë i letrave me vlerë për këtë vit. Në këtë rast do të emetohen obligacione me afat dyvjeçar, në shumën e përgjithshme prej 20 milionë eurosh. Kjo do të thotë se investitori i jep para hua shtetit për dy vjet. Pas përfundimit të afatit, atij i kthehet shuma e investuar, ndërsa përfiton edhe nga interesi.
Sipas Ministrisë së Financave, investimi garantohet me Ligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore ndërsa thuhet se interesi i përfituar gjatë dy vjetëve është tërësisht i liruar nga tatimi.
Nga ky dikaster i qeverisë së Kosovës është njoftuar se të interesuarit për blerjen e këtyre obligacioneve mund t’u drejtohen bankave komerciale që operojnë në Kosovë për më shumë informacione rreth pjesëmarrjes në ankand.

