Xhamitë e Kosovës nuk kanë qenë vetëm vende ku është falur namazi. Ndër breza, ato kanë qenë vatra të besimit, dijes, solidaritetit, humanizmit, qëndresës dhe atdhedashurisë. Sot, një tjetër dëshmi e këtij roli u përjetësua në Xhaminë e fshatit Irzniq të Deçanit, ku u zbulua një pllakë përkujtimore që rikujton një nga kapitujt e historisë së saj gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Pllaka përkujton faktin se, nga prilli i vitit 1998, në mejtepin e kësaj xhamie ishte vendosur Shtabi i UÇK-së për fshatin Irzniq, i udhëhequr nga komandanti Maxhun M. Çekaj, në kuadër të Zonës Operative të Dukagjinit.
E ndërtuar në vitin 1816, Xhamia e Irzniqit për më shumë se dy shekuj ka qenë një prej qendrave të jetës fetare dhe edukimit të komunitetit. Por gjatë luftës, ajo u përball edhe me shkatërrimin. Në shtator të vitit 1998, forcat serbe e dogjën dhe e shkatërruan tërësisht xhaminë.
Sot, përmes kësaj pllake përkujtimore, kjo pjesë e historisë së saj ruhet dhe u përcillet brezave të rinj. Ajo rikthen në kujtesë edhe rolin që shumë xhami në Kosovë patën gjatë luftës, duke qenë pranë popullatës në ditët më të vështira dhe duke u shndërruar, në raste të ndryshme, në hapësira strehimi, ndihme dhe organizimi.
Në ceremoninë e zbulimit të pllakës morën pjesë qindra qytetarë, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme. I pranishëm ishte edhe kryetari i OVL-UÇK-së, dega në Deçan, kolonel Avdyl Mushkolaj, organizatë nën patronatin e së cilës u zhvillua kjo veprimtari.
Pllakën përkujtimore e zbuluan komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, gjeneral Ramush Haradinaj, kryetari i KBI-së në Deçan, Naser ef. Tolaj, kryetari i fshatit Irzniq, Shaqir Daci, dhe imami i Xhamisë së Irzniqit, Bedri ef. Kerolli.
Për Bashkësinë Islame të Kosovës, ruajtja e kësaj kujtese është përgjegjësi ndaj brezave që vijnë. Xhamia e Irzniqit mbetet kështu jo vetëm një monument i jetës fetare, por edhe një dëshmi e një historie që duhet të kujtohet dhe të përcillet.





