Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se gjatë gërmimeve vlerësuese në lokacionin e Jabukës së Vogël, në Komunën e Zubin Potokut, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të katër personave.
Sipas njoftimit, mbetjet dyshohet se u përkasin viktimave të zhdukjes me forcë gjatë luftës në Kosovë dhe janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme, përfshirë identifikimin përmes analizës së ADN-së, .
Gërmimet po vazhdojnë edhe në lokacionin e Kalludrës, si dhe në zona të tjera të shënjuara, me qëllim të ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur.
Procesi po zhvillohet nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, me përkrahjen e Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe institucioneve të tjera të përfshira në këtë fushë.
Postimi i plotë:
Vazhdojnë gërmimet vlerësuese në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë
Sot, më 3 gusht 2026, kanë vazhduar aktivitetet gërmuese në kuadër të trajtimit të lokacioneve të varreve masive në fshatrat Kalludër dhe Jabukë, në Komunën e Zubin Potokut. Për shkak të specifikave të terrenit, aktivitetet e sotme gërmuese janë përqendruar në lokacionin e Jabukës së Vogël.
Në ditët në vijim do të vazhdojnë gërmimet vlerësuese në lokacionin e varrit masiv në Kalludër, ku janë zhvilluar punime edhe gjatë javës së kaluar, si dhe në çdo lokacion tjetër të shënjuar dhe në adresim të çdo informacioni që mund të kontribuojë në ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.
Gjatë gërmimeve të zhvilluara sot në Jabukë të Vogël janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të katër (4) personave, që sipas vlerësimeve fillestare, u përkasin viktimave të zhdukjes me forcë gjatë luftës.
Mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për ekzaminime të mëtejshme mjekoligjore, përfshirë identifikimin përmes analizës së ADN-së.
Gërmimet në terren dhe zhvarrimet e mbetjeve mortore janë kryer nga ekspertët mjekoligjorë të Institutit për Mjekësi Ligjore, përfshirë ekspertët e EULEX-it të angazhuar në kuadër të IML-së, me përkrahjen e Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës të Policisë së Kosovës, njësive të tjera përkatëse policore, institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, Shoqatës për Kërkim-Shpëtim dhe Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Duke vlerësuar angazhimin, bashkëpunimin dhe përkushtimin maksimal të të gjitha institucioneve të përfshira në këtë proces, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i përkushtuar që, në koordinim me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, të vazhdojë punën profesionale për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës, në përmbushje të së drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.

