Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, tha se dëmet e shkaktuara nga breshëri janë të përmasave të mëdha dhe të papërballueshme për komunën.
“Dëmi në kuptimin material është i papërballueshëm për ne si komunë, është shumë i rëndë edhe për pjesën e nivelit qendror”.
Ai bëri të ditur se ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, është zotuar për mbështetje të veçantë për fermerët e Istogut, pas dëmeve të mëdha të shkaktuara nga breshëri.
“Me mbështetje të veçantë, siç ministri Muja u zotua për bujqit istogas, pasi që është njëra ndër komunat me sipërfaqen më të madhe të tokës së punueshme”, tha Ferati.
Komuna e Istogut i ka të regjistruara rreth 6 mijë hektarë të mbjella me kultura të ndryshme bujqësore, pa e përfshirë pjesën e sipërfaqeve që nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara, tha Ferati.
Si kryetar i komunës, mbetem i përkushtuar që t’u ofroj fermerëve tanë mbështetjen maksimale të mundshme. Gjithashtu, dua t’i siguroj fermerët istogas se, me angazhimin e plotë të institucioneve komunale, jemi në fazën përfundimtare të procesit të vlerësimit të dëmeve dhe do të përfundojmë me kohë këtë proces.
Sipas tij, pasojat nuk janë vetëm financiare, por ndikojnë edhe në sigurimin e ushqimit për fermerët.

