Sonte (e mërkurë) do të mësohet finalisti tjetër i Kupës së Botës 2026, ku Anglia do të përballet me Argjentinën.
Të dy kombëtaret kanë zhvilluar paraqitje fantastike në këtë turne, ndërsa për objektiv kanë vetëm pjesëmarrjen në Botëror.
Mungesat e dy kombëtareve:
Angli:
Anglia vazhdon të ketë mungesë opsionesh natyrale në krahun e djathtë të mbrojtjes. Jarell Quansah është i pezulluar, ndërsa Reece James nuk pritet të rrezikohet nga minuta e parë për shkak të historikut të tij me lëndimet.
Djed Spence mund të rikthehet në formacionin titullar, megjithëse Ezri Konsa mund të vazhdojë të luajë në atë rol. Ndërkohë, John Stones pritet të formojë dyshen e qendërmbrojtjes me Marc Guehin.
Jordan Henderson do të mungojë pasi iu nënshtrua një operacioni në kyçin e dorës, pas lëndimit që pësoi në Mexico City.
Declan Rice nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë fizike në ndeshjen ndaj Norvegjisë për shkak të një sëmundjeje, por Thomas Tuchel shpreson që mesfushori i Arsenalit të jetë gati për ta nisur ndeshjen nga minuta e parë përkrah Elliot Anderson.
Argjentinë:
Argjentina pritet të zbresë në fushë me të njëjtin formacion që mposhti Zvicrën pas vazhdimeve, pasi Lionel Scaloni nuk pritet të bëjë ndryshime të mëdha.
Lionel Messi do ta nisë ndeshjen nga minuta e parë në sulm, ndërsa trajneri argjentinas duhet të zgjedhë mes Julian Alvarez dhe Lautaro Martinez për ta shoqëruar në repartin ofensiv.
Në mesfushë, Leandro Paredes mund ta ruajë vendin e titullarit për t’i dhënë ekipit më shumë ekuilibër në fazën mbrojtëse, pavarësisht ndikimit pozitiv që pati Thiago Almada pasi u inkuadrua nga banka rezervë në ndeshjen e kaluar.
Formacionet e mundshme:
Angli: Pickford; O’Reilly, Guehi, Konsa, Spence; Anderson, Rice; Gordon, Bellingham, Saka; Kane
Argjentinë: Martinez; Molina, Romero, Martinez, Tagliafico; Allister, Paredes, Fernandez, Gonzalez; Alvarez, Messi.
Parashikim: Angli 1-2 Argjentinë
Anglia ka siguruar një tjetër gjysmëfinale të madhe, të katërtën që nga viti 2018, dhe në këtë përballje vjen pas katër fitoreve radhazi. Megjithatë, problemet në mbrojtje kanë qenë të pranishme gjatë gjithë turneut dhe vazhdojnë të jenë një shqetësim për Thomas Tuchelin.
Edhe Argjentina ka treguar karakter për të arritur deri në këtë fazë, duke kaluar ndeshje dramatike ndaj Kepit të Gjelbër, Egjiptit dhe Zvicrës, ndërsa ka zgjatur serinë e fitoreve në 13 ndeshje radhazi.
Lionel Messi tashmë ka regjistruar shifra dyshifrore për kontributet në gola për Kupën e Dytë të Botës radhazi, ndërsa fuqia sulmuese e Argjentinës e bën skuadrën kampione të botës një provë shumë të vështirë për anglezët.
Anglia ka cilësi të mjaftueshme në repartin ofensiv me Harry Kane dhe Jude Bellingham për ta mbajtur ndeshjen të ekuilibruar, por përvoja e Argjentinës në turne të mëdhenj dhe balanca më e mirë në lojë mund t’i japin ekipit të Lionel Scalonit një avantazh në këtë përballje.
Kujtojmë, përballja mes Anglisë dhe Argjentinës do të nisë nga ora 21:00.

