Sht. Kor 11th, 2026

Maqedonci: Kosovës i duhet stabilitet politik, presidenti të jetë figurë konsensuale

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar se Kosovës i nevojitet stabilitet politik për shkak të sfidave të brendshme dhe zhvillimeve në fushën e sigurisë në nivel rajonal e ndërkombëtar.

Maqedonci është shprehur se ekzistojnë numrat për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por ka theksuar se dialogu me opozitën synon të shmangë bllokadat institucionale të përjetuara në të kaluarën.

Sa i përket postit të presidentit, ai është shprehur në favor të zgjedhjes së një figure konsensuale, duke vlerësuar se presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e qytetarëve dhe të jetë i pranueshëm për një spektër sa më të gjerë politik.
“Unë besoj që stabiliteti politik është i domosdoshëm për vendin tonë. Jo vetëm për nevojën që e ka vendi ynë si vend, si shtet. Mirëpo edhe për shkak të rrethanave ndërkombëtare, për shkak të sfidave me të cilat po ballafaqohet bota dhe regjioni në aspektin e sigurisë, për shkak të ndryshimeve në ambientin pra global të sigurisë, por edhe të raporteve ndërkombëtare. Po është edhe e nevojshme normalisht para së gjithash për funksionalitetin e shtetit, për funksionimin e institucioneve”, tha ai.

Duke folur për përpjekjet për formimin e institucioneve të reja, Maqedonci tha se lideri i LVV-së, Albin Kurti, është i angazhuar për të gjetur një zgjidhje lidhur me zgjedhjen e presidentit, duke nënvizuar se kjo nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që presidenti i ardhshëm të ketë edhe prapavijë ushtarake, por ka nënvizuar se kriteri më i rëndësishëm mbetet që ai ose ajo të jetë figurë konsensuale dhe të mos bëhet pjesë e përplasjeve të përditshme politike.

Postime të Ngjashme