Hën. Qer 22nd, 2026

Vance për bisedimet me Iranin – po ndërtojmë shtëpi, tash i vendosëm themelet

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, deklaroi të hënën se bisedimet e paqes me Iranin kanë krijuar një “bazë të mirë për një marrëveshje përfundimtare të suksesshme”, e cila synon t’i japë fund luftës që nisi në fund të muajit shkurt.

Ai i thjeshtësoi ato me planet për ndërtimin e një shtëpie.

“Marrëveshja përfundimtare është shtëpia. Ne kemi vendosur themelet. Ende nuk e kemi ndërtuar shtëpinë, por kemi hedhur një bazë të suksesshme për të arritur një rezultat të mirë për popullin amerikan”, u tha Vance gazetarëve, raporton AP, transmeton KosovaPress..
Komentet e tij erdhën pasi ai dhe kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Qalibaf, përfunduan një raund të gjatë bisedimesh fillestare, që synojnë arritjen e një zgjidhjeje të përhershme për konfliktin mes dy vendeve.

Përpjekja ndërmjetësuese në Zvicër, e cila nisi të dielën dhe vazhdoi deri në orët e para të së hënës, u përball me momente të vështira, por gjithashtu prodhoi disa marrëveshje mes palëve.

Vance la të kuptohet se administrata amerikane mund të pranojë zhbllokimin e disa aseteve iraniane por vetëm për blerjen e produkteve bujqësore amerikane, si soja, misri dhe gruri.
Sipas tij, ideja u propozua nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump dhe një nga negociatorët kryesorë amerikanë, në bashkëpunim me zyrtarë nga Katari.

Ky shtet, sipar numri dy të Amerikës, do të ketë rol mbikëqyrës në këtë proces, ndërsa fondet iraniane që do të bëhen të qasshme pas lehtësimit të sanksioneve “do të përdoren për blerjen e sojës, misrit dhe grurit amerikan në dobi të popullit iranian”.

Në një deklaratë të përbashkët, ndërmjetësuesit nga Pakistani dhe Katari njoftuan se, megjithëse angazhimi në nivel të lartë ka përfunduar, negociatat teknike do të vazhdojnë në Zvicër gjatë kësaj jave.
Ndërmjetësuesit përshëndetën atë që e cilësuan si “përparim inkurajues” të arritur gjatë bisedimeve.
Një diplomat i lartë amerikan tha se është shënuar progres në disa fusha, përfshirë krijimin e mekanizmave që do të garantojnë mbajtjen e hapur të Ngushticës së Hormuzit – një korridor detar me rëndësi jetike për transportin global të energjisë – si dhe ruajtjen e armëpushimit mes Izraelit dhe militantëve të Hezbollahut, të mbështetur nga Irani, në jug të Libanit.

Postime të Ngjashme