Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer pritet të japë dorëheqje sot, sipas BBC, transmeton KosovaPress.
Starmer është përballur me presion në rritje për të dhënë dorëheqjen që nga fitorja e Andy Burnham në zgjedhjet e pjesshme në Makerfield javën e kaluar.
Gjatë gjithë fundjavës, politikanët e Partisë Laburiste qëndruan kryesisht në heshtje, duke e lënë kryeministrin të reflektojë mbi të ardhmen e tij politike në rezidencën zyrtare të Chequers.
Sot pritet që kjo heshtje të marrë fund, pasi figura të larta të qeverisë presin që Starmer të njoftojë jo vetëm dorëheqjen e tij, por edhe një plan për transferimin e pushtetit te pasardhësi.
Ende nuk është e qartë nëse ky proces do të zgjasë disa javë apo disa muaj. Edhe pse një garë për drejtimin e partisë mbetet e mundur, po shtohen zërat se mund të ketë një emërim pa rivalë, me Andy Burnham që shihet si favoriti kryesor. Ai pritet të betohet si deputet në Dhomën e Komunëve këtë pasdite.
Nëse Mbretëria e Bashkuar merr një kryeministër të ri, ai do të ishte i pesti në katër vitet e fundit. Një kabinet i ri do të formohej dhe do të prezantohej një platformë e re politike. Partitë opozitare pritet të vënë në pikëpyetje nëse pasardhësi i Starmer gëzon një mandat të drejtpërdrejtë nga votuesit.

