Pre. Qer 19th, 2026

Irani: Çdo anije do të paguajë për të kaluar në Ngushticën e Hormuzit

Irani ka njoftuar se planifikon të vendosë tarifa për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit.

Sipas zyrtarëve iranianë, sistemi i ri i tarifave do të hyjë në fuqi pas përfundimit të një periudhe 60-ditore negociatash që pason nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit mes Teheranit dhe Uashingtonit. Autoritetet iraniane argumentojnë se tarifat do të mbulojnë kostot e menaxhimit dhe sigurisë së kësaj rruge strategjike detare.

Deklarata ka shkaktuar reagime të menjëhershme në rajon. Arabia Saudite kundërshtoi planin iranian, duke theksuar se lundrimi në Ngushticën e Hormuzit funksiononte normalisht para konfliktit dhe se nuk ka arsye për vendosjen e një sistemi të ri pagesash, shkruan A2CNN.

Ndërkohë, bisedimet teknike mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara pritet të vazhdojnë në Zvicër, ku palët do të diskutojnë zbatimin e marrëveshjes, përfshirë lehtësimin e sanksioneve ndaj eksporteve iraniane të naftës dhe garantimin e qarkullimit të lirë të anijeve në rajon.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një pikë kyçe për ekonominë globale, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimit botëror me energji.

Postime të Ngjashme