Raportohet se të paktën dy supertankerë iranianë kanë dalë nga perimetri i bllokadës, sipas faqes TankerTrackers, e cila monitoron dërgesat dhe magazinimin e naftës, transmeton KosovaPress.
TankerTrackers ka raportuar “eksportet e para të naftës së papërpunuar të Iranit pas dy muajsh”, duke u bazuar në të dhëna të gjurmimit digjital të konfirmuara edhe përmes imazheve satelitore.
Sipas saj, VLCC-të e kompanisë National Iranian Tanker Company (NITC), të quajtura DIONA (9569695) dhe HERO2 (9362073), kanë dalë nga perimetri i bllokadës së Marinës amerikane, duke transportuar së bashku rreth 3.8 milionë fuçi naftë të papërpunuar iraniane.
Pas dy muajsh bllokade, këto konsiderohen eksportet e para të naftës së papërpunuar të Iranit.
Ndërkaq, një tanker tjetër i NITC-së, STREAM, po i afrohet vijës së bllokadës nga Zona Ekonomike Ekskluzive e Pakistanit, ku ka qëndruar për rreth shtatë javë në pritje për të hyrë në Iran.
Po ashtu, faqja monitoruese ka përditësuar se një tanker i tretë i NITC-së, i tipit Suezmax, ka dalë gjithashtu nga zona e bllokadës, duke transportuar rreth 1 milion fuçi naftë të papërpunuar iraniane.

