Një ceremoni e mundshme nënshkrimi për një memorandum mirëkuptimi mes SHBA-së dhe Iranit pritet të zhvillohet në Gjenevë të Zvicrës, sipas CNN.
Lajmi vjen pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se është arritur një “marrëveshje e madhe” që mund të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit me Iranin. Ai tha se dokumenti mund të finalizohet në ditët në vijim dhe se ceremonia e nënshkrimit mund të zhvillohet në Evropë, me pjesëmarrjen edhe të zëvendëspresidentit JD Vance.
Megjithatë, zyrtarët iranianë nuk e kanë konfirmuar ende arritjen e ndonjë marrëveshjeje.
Sipas dy burimeve të tjera të përfshira në bisedimet diplomatike, Gjeneva shihet si lokacioni më i mundshëm për ceremoninë, ndërsa një tjetër opsion i përmendur mbetet Vjena. Një nga burimet thotë se nënshkrimi i memorandumit do të shënonte nisjen e “fazës së dytë” të negociatave mes palëve.
Burime të shumta raportojnë gjithashtu se marrëveshja po quhet në mënyrë joformale “Deklarata e Islamabadit”, për shkak të rolit ndërmjetësues të Pakistanit në proces. Megjithatë, gjithçka mbetet ende në nivel diskutimesh dhe nuk ka një konfirmim zyrtar për përmbajtjen apo finalizimin e saj.
Ndërkohë, pritet që zhvillimet të marrin formë më të qartë në ditët në vijim, në varësi të qëndrimeve zyrtare nga SHBA dhe Irani.

