Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar, siç thonë ata, ndaj neglizhencës së Ministrisë së Financave dhe Departamentit të Tatimit në Pronë lidhur me mosfunksionimin e plotë të sistemit të ri të tatimit në pronë, i lansuar që nga gushti i vitit 2025.
Është e papranueshme që edhe pas 9 muajsh, sipas AKK-së, që komunat vazhdojnë të përballen me një sistem jofunksional, pa afate konkrete dhe pa asnjë përgjegjësi institucionale nga ana e nivelit qendror.
“Si pasojë direkte e kësaj neglizhence, komunat po humbin miliona euro të hyra vetanake; qytetarët po penalizohen padrejtësisht me interesa dhe gjoba; janë bllokuar procedurat e rillogaritjes dhe regjistrimit të pagesave, parapagimet nuk shfaqen saktë në sistem, është cenuar seriozisht besueshmëria institucionale ndaj komunave”, thuhet në reagimin e Asocacionit.
AKK thotë se përkundër kërkesave të vazhdueshme të komunave për sqarime dhe ndërhyrje urgjente, Ministria ka zgjedhur heshtjen dhe neglizhencën, duke lënë komunat dhe qytetarët të përballen vetë me pasojat e këtij dështimi.
Njëherësh, AKK konsideron se kjo situatë nuk është më vetëm problem teknik, por, sipas tyre, dështim serioz institucional që po dëmton rëndë financat komunale dhe funksionimin normal të administratës lokale.
“Kërkojmë urgjentisht, funksionalizimin e plotë të sistemit, raport transparent publik mbi problemet dhe përgjegjësit, eliminimin e penaliteteve të padrejta ndaj qytetarëve, kompensimin e dëmeve financiare që komunat po pësojnë si pasojë e kësaj neglizhence. Komunat nuk mund të mbajnë barrën e paaftësisë dhe mosveprimit të institucioneve qendrore”, thotë ky asocacion.

