Die. Maj 17th, 2026

Kaçaniku: Zgjedhjet e shpeshta na kanë marrë 50 milionë euro, kemi humbur mijëra vende pune

Kriza politike dhe zgjedhjet e njëpasnjëshme i kanë kushtuar Kosovës humbjen e mijëra vendeve të punës, ndërsa partitë politike kanë lënë anash interesat e qytetarëve konsumatorë, ka vlerësuar kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një intervistë për Ekonomia Online.

Kaçaniku tha se vetëm nga shpenzimet për zgjedhje dhe pasojat e krizave politike janë humbur të paktën 5 mijë vende pune.

Sipas tij, partitë politike nuk do të pranonin zgjedhje të shpeshta nëse ato do të financoheshin nga xhepi i tyre.

“Unë mendoj se po të paguheshin zgjedhjet nga xhepi i partive politike dhe nga xhepi i kandidatëve politikë, ata nuk do të na qesin neve për herën e pestë nëse nuk gaboj në zgjedhje. Sepse këtë e bëjnë me komocione e parave tona. Neve këto zgjedhje si qytetarë konsumatorë taksapagues na kushtojnë çdo herë nga 10 milionë. Me 50 milionë të deritanishme pa i llogarit humbjet tjera që i kanë shkaktuar ne i kemi humbur minimum 5 mijë vende pune. Dhe ata që trumbetojnë se po angazhohen për hapjen e vendeve të punës, le ta dinë se na e kanë në borxh 5 mijë vende pune vetëm për vitet e kaluara dhe për sivjet”, tha ai.

Ai tha se partitë politike kanë përfituar nga ngritja e çmimeve.

“Thash se partitë politike në veçanti ato në qeveri, prej të gjitha legjislaturave kanë pasur interes nga ngritja e çmimeve sepse nëpërmjet ngritjes së çmimeve e kanë realizu mbushjen e buxhetit. E dyta do të duhej të ishte e para sepse me ketë të parën shihet shumë mirë karakteri psikologjik i partisë politike te ne në Kosovë. Partia politike, të gjithat, e kanë miratuar një ligj për financimin e tyre nga buxheti konsumues i Kosovës. Pa debat publik, pa konsultim publik, pa marrjen e interesit. Siç po shihet nga kjo që thashë, marrjen e interesit të qytetarëve konsumatorë taksapagues në rritjen gjenerues kryesor i buxhetit. Dhe çdo ligj që miratohet, pa i kaluar këto dy faza është ligj i jashtëligjshëm”, tha ai.

Kaçaniku tha se mungesa e reagimit ndaj këtyre veprimeve tregon, sipas tij, probleme serioze në partitë politike.

“Nëse një parti politike, mos të themi të gjithat, e bën këtë dallavere në mënyrë publike dhe nuk me reagon mua e as një konsumator tjetër për vitet me radhë, do të thotë se është një krimogjeni brenda tyre. Edhe nëse ne kemi një grimcë krimogjenie brenda partisë politike, çfarë ndershmërie mund të presim prej tyre”, tha ai.

Ai kritikoi edhe mungesën e informimit dhe mbrojtjes së konsumatorëve nga institucionet.

“Nëse qeveritë të të gjitha legjislaturave nuk e kanë përmbushur mandatin e tyre të na informojnë, edukojnë, arsimojnë vetëdijesojnë për të qenë partner i tyre do të thotë se e drejta jonë për ankesë është e mashtrim. Është dallavare. Është e drejtë jo ligjore sepse nuk ka bazë ligjore. Dhe nëse ato nuk e bëjnë këtë, si do të ankohemi ne? Së pari, pjesa më e madhe nuk di ku, pjesa më e madhe nuk di kur dhe pjesa më e madhe pret, çfarë mund të pres unë në moshën time 75 vjeçare nëse duhet të pres 10 vjet ankesa ime të realizohet? Domethënë, gjyqësia është aq e ngarkuar, sa është e ngathët. Neve nuk na duhet kjo gjyqësi, po nuk na duhet as kjo politikë. Po nuk na duhet as vetvetja”, tha ai.

Ai tha se qytetarët po votojnë pa pasur programe konkrete për mbrojtjen e konsumatorit.

“Sepse para 28 dhjetorit kërkova nga vetvetja dhe nga të gjithë qytetarët e tjerë konsumatorë që ta votojnë atë parti politike, atë kandidat i cili prezanton program për mbrojtjen e konsumatorit të tij. Nuk u prezantua asnjë program dhe ne prapë se prapë i votuam. Programi i mbrojtjes së konsumatorit nuk i bindet as MINT-i, nuk i bindet as Ministria e Bujqësisë sepse ne nuk kemi raporte prej tyre për pjesën e programit që i takon atyre që është plan programi i tyre. Domethënë, totalisht na neglizhojnë, totalisht na nëpërkëmbin dhe dëshmohet prej aeroplanit se ne u shërbejmë vetëm si xhep rezerve për të na diskriminuar”, tha ai.

Postime të Ngjashme