Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nisi ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Kinë me një takim me presidentin kinez Xi Jinping në Zhongnanhai, kompleksi i ruajtur me masa të rrepta sigurie ku ndodhet udhëheqja e Partisë Komuniste Kineze.
I konsideruar shpesh si “versioni kinez” i Shtëpisë së Bardhë, kompleksi shtrihet në rreth 6 mijë akra dhe përfshin liqene, kopshte, pavione dhe ndërtesa administrative.
Pothuajse gjysma e territorit është e mbuluar nga uji, ndërsa zona rrethohet nga mure historike të kuqe dhe konsiderohet një nga vendet më të mbyllura dhe sekrete në Kinë.
Sipas CNN-it, Trump dhe Xi u panë duke biseduar gjatë një shëtitjeje në kopshtet e kompleksit, përpara se gazetarëve që shoqëronin delegacionin amerikan t’u kërkohej të largoheshin, pasi dy liderët dëshironin të vazhdonin diskutimet në privatësi.
Trump e cilësoi vizitën e tij në Kinë si “të pabesueshme”, duke theksuar se nga takimet “dolën shumë gjëra të mira”. Ai deklaroi gjithashtu se SHBA-ja dhe Kina arritën “marrëveshje fantastike tregtare për të dy vendet” dhe se u zgjidhën probleme “që të tjerët nuk mundën t’i zgjidhnin”.
Presidenti amerikan shtoi se marrëdhënia e tij me Xi Jinping mbetet “shumë e fortë”, në një kohë kur raportet mes dy fuqive botërore janë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

