Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës ka udhëtuar drejt ShBA-së për të marrë pjesë në Kongresin për Ditën e Veprimit.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se gjatë rrugës për në Kongres, ndjeu më shumë se kurrë se një zë mund të sjellë ndryshim.
Postimi i plotë:
Vite më parë vendosa ta thyej heshtjen. Fola jo vetëm për veten time, por për mijëra të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, zëri i të cilave ishte mbuluar nga frika dhe stigma.
Sot, rrugës për në Kongres për Ditën e Veprimit, e ndiej më shumë se kurrë se një zë mund të sjellë ndryshim. Zëri im ndihmoi që historia jonë të dëgjohet, që të mbijetuarat të marrin njohjen dhe dinjitetin që meritojnë, dhe që drejtësia të mos harrohet.
Heshtja nuk mbron askënd. Të flasësh ndryshon historinë.

