Pre. Maj 1st, 2026

Besnik Tahiri: Kurrë s’duhet harruar se, dinjiteti i punëtorit është dinjiteti i shtetit

Gjatë ditës së djeshme, kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Enkel Rexhepi, njoftoi se qeveria serbe ka bllokuar transferet dhe donacionet nga Kosova, që për qëllim kanë zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar në Luginë.

Në njoftimin e tij, Rexhepi bëri me dije se bëhet fjalë për fonde që do t’i ndihmonin mijëra nxënës, bujq, studentë, OJQ, e fëmijë pa prindër, të cilët varën nga programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillim të Luginës.

Në një deklarim të sotëm, Rexhepi njoftoi se pas këtij vendimi qëndron Demo Berisha.

“Demo Berisha, në një deklaratë zyrtare në faqen e Ministrisë që kontrollon, e pranoi qartë se është ai që qëndron prapa bllokimit të mjeteve. Madje, në të njëjtën deklaratë ai konfirmoi se problemi nuk është as dokumentacioni dhe as ndonjë shkelje ligjore. Pra, nuk po vihet në pikëpyetje mënyra e përdorimit të mjeteve, por vet fakti që ato vijnë nga institucionet e Kosovës” thotë Rexhepi.

Sipas tij, kjo deklaratë e Berishës konfirmon se mjetet nuk janë keqpërdorur nga Lugina, teksa të njëjtit po i pengon Kosova, zhvillimi dhe përparimi i shqiptarëve të Luginës.

Nga Qeveria e Republikës së Kosovës dje deklaruan për IndeksOnline se është rasti i dytë që mjetet që po i ndan, po pengohen nga shteti serb.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon fuqishëm bllokimin e vazhdueshëm të mjeteve financiare të destinuara për Këshillin Kombëtar Shqiptar, duke e konsideruar këtë si ndërhyrje të papranueshme në funksionimin e një institucioni legjitim përfaqësues të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ky është rasti i dytë që mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës pengohen në mënyrë të pajustifikuar, duke dëshmuar për një model të përsëritur të bllokimit institucional”, deklaroi qeveria.

Ky institucion bëri me dije se ka ndërmarrë hapa konkretë për të njoftuar Bashkimin Evropian dhe faktorët relevantë ndërkombëtarë, duke kërkuar reagim ndaj kësaj praktike që bie ndesh me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e vendosur të vazhdojë mbështetjen për shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe Sanxhak, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike, institucionale dhe ndërkombëtare për të ndalur këtë padrejtësi dhe për të siguruar respektimin e të drejtave të tyre”, deklaroi Qeveria e Republikës së Kosovës.

Postime të Ngjashme