Presidenti amerikan, Donald Trump e ka mbrojtur luftën ndaj Iranit pavarësisht ndikimit të saj në çmimet e energjisë, duke këmbëngulur se SHBA-të nuk kishin zgjidhje tjetër.
Në një tubim për mbledhje fondesh të republikanëve në Uashington, Trump e quajti Iranin me potencialin për armë bërthamore një “kancer” dhe tha se mendonte që rritja e çmimeve të energjisë si rezultat i konfliktit do të ishte “shumë më e keqe”, shkruan Sky News.
“Mendova se do të ishte shumë më keq. Mendova se çmimet e energjisë, çmimet e naftës do të rriteshin më shumë. Mendova se tregu i aksioneve do të binte disi më poshtë. Por nuk kishte rëndësi për mua, në planin afatshkurtër. Ajo që duhej të bënim ishte të hiqnim qafe kancerin. Na duhej ta hiqnim kancerin dhe kanceri ishte Irani me një armë bërthamore”, deklaroi Trump.
Të mërkurën, çmimet e naftës ranë me më shumë se 5% në rreth 94 dollarë për fuçi, nën kufirin e konsiderueshëm prej 100 dollarësh që është tejkaluar disa herë që nga fillimi i luftës.

