Hën. Mar 16th, 2026

Gjermania i përgjigjet kërkesës së Trumpit: “Kjo nuk është luftë e NATO-s”

Berlini i është përgjigjur thirrjeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të ndihmuar në mbajtjen e rrugëve të transportit detar pa ndërprerje në Ngushticën e Hormuzit.

Në këtë drejtim, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një zëdhënës i qeverisë tha: “Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me NATO-n. Nuk është luftë e NATO-s”.

Komenti i bërë nga zëdhënësi i kancelarit Friedrich Merz vjen pasi Trump bëri një “kërcënim” ndaj aleancës së NATO-s, duke thënë se ajo mund të përballet me një “të ardhme shumë të keqe”, përcjell Telegrafi.

Kështu, qeveria gjermane përsëriti edhe një herë se nuk do të merrte pjesë në asnjë aktivitet në Ngushticën e Hormuzit.

“Pjesëmarrja nuk është marrë në konsideratë para kësaj lufte dhe nuk po merret në konsideratë tani”, shtoi zëdhënësi i qeverisë, shkruan CNN.

Këtë mëngjes, duke mbërritur në Bruksel, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul u tha gjithashtu gazetarëve se nuk sheh një rol për anëtarët e NATO-s në Ngushticën e Hormuzit.

Trump thotë se NATO përballet me një të ardhme ‘shumë të keqe’ nëse aleatët e SHBA-së nuk ndihmojnë me luftën kundër Iranit

E sipas DW, ai e përjashton për momentin pjesëmarrjen gjermane në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.

Në emisionin televiziv “Bericht aus Berlin” ai tha: “Ne nuk do të marrim pjesë në këtë konflikt”.

Sipas Wadephul, SHBA-ja dhe Izraeli i kanë thënë se qëllimi i sulmeve të tyre është shkatërrimi i kapaciteteve ushtarake të Iranit, veçanërisht i programit bërthamordhe i programit të raketave.

Gjermania pret ta informojnë kur kjo të ketë ndodhur dhe “pastaj do të dëshironim me kënaqësi të marrim pjesë në negociata”, tha ai.

Ndërsa lidhur me një zgjerim të mundshëm të misionit detar të BE-së “Aspides” në Ngushticën e Hormuzit, Wadephul u shpreh se është “shumë skeptik” nëse kjo do të sillte më shumë siguri në atë zonë, pasi sipas tij aty ku është vendosur tani misioni në Detin e Kuq “nuk po tregon efekte”.

Ai pranoi se nuk kishte pritur drejtpërdrejt luftë dhe se gjithashtu “nuk dihet plotësisht saktë” se kur do të përfundojë.

Sipas tij, është e qartë se Evropa gjithmonë ofron mbështetje konstruktive, kur bëhet fjalë për sigurimin e rrugëve detare.

“Por unë nuk shoh ndonjë nevojë të menjëhershme, dhe sidomos se pse Gjermania duhet të marrë pjesë”, citohet të ketë thënë ai.

“Kërkesa jonë ndaj SHBA-së dhe Izraelit është të na mbajnë të informuar dhe të na tregojnë cilat objektiva konkrete po ndjekin, dhe pastaj të diskutojmë së bashku se si mund të përfundojë kjo luftë”, ka thënë ministri i jashtëm gjerman.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *