Në qershor të vitit 1999, Kosova po përpiqej të shëronte plagët e luftës dhe refugjatët po ktheheshin në vendet e tyre.
Në këtë kontekst, NATO-ja vendosi misionin paqeruajtës KFOR, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe parandalimin e rikthimit të dhunës. Ai nuk ishte ndërhyrja e parë e aleancës në Ballkan, por do të bëhej misioni më jetëgjatë, operacioni më i madh aktiv dhe një nga ndërhyrjet më të suksesshme të NATO-s në historinë e saj.
Forca shumëkombëshe filloi me mbi 50.000 ushtarë, përfshirë rreth 7.000 amerikanë. Sfidat për rindërtimin e një vendi të shkatërruar nga bombardimet serbe ishin të jashtëzakonshme. Presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton, vizitoi pesë muaj pas përfundimit të luftës bazën amerikane në Bondsteel, duke shprehur vlerësimin për përpjekjet e trupave amerikane:
“E di se shumë nga detyrat tuaja janë ende të rrezikshme. E vlerësoj punën e palodhshme që keni bërë për të mbrojtur të gjithë njerëzit në Kosovë, përfshirë edhe serbët. Dhe, e vlerësoj ndërmjetësimin tuaj të vazhdueshëm mes njerëzve që kanë ende një rrugë të gjatë drejt pajtimit,” tha Clinton në nëntor të vitit 1999.
Më shumë se 26 vjet më vonë, siguria në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm. Numri i trupave të KFOR-it ka rënë në rreth 4.700, por kjo nuk garanton stabilitet të plotë. Paqëndrueshmëria politike dhe refuzimi i vazhdueshëm i Serbisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës mbajnë hapur dimensionin e sigurisë në vend.
Në këtë kontekst, çdo sinjal për një rol më të vogël të Shteteve të Bashkuara në KFOR merr peshë të veçantë. Ndryshimet në prioritetet globale të sigurisë kanë nxitur diskutime për mundësinë e reduktimit të pranisë amerikane në misionin paqeruajtës, duke hapur pyetje për të ardhmen e arkitekturës së sigurisë në Kosovë.
Në një përgjigje ndaj Radio Evropa e Lirë, Pentagonit më 19 shkurt bëri të ditur se nuk ka njoftim për ndryshim të dislokimit të forcave. Megjithatë, gazeta amerikane Politico raportoi se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga aleatët të shqyrtojnë reduktimin e angazhimeve të jashtme të NATO-s, duke përfshirë edhe Kosovën.
Ky nuk është fenomen i ri. Në shkurt të vitit të kaluar, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi se kontinenti duhet të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane, duke lidhur vendimet me kërcënimet globale dhe prioritetet strategjike të Uashingtonit.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance theksoi se mbajtja e trupave në Evropë mund të ndikohet nga politika rajonale, duke përmendur shembuj të ndëshkimeve ndaj qytetarëve për postime në rrjetet sociale.
Kosova është sot vendi ku KFOR-i luan një rol vendimtar në mbajtjen e paqes. Aktualisht, misioni përfshin 4.686 trupa nga 29 vende, me pjesëmarrje të konsiderueshme nga Italia, SHBA-ja, Hungaria dhe Turqia. NATO-ja ka rritur praninë e saj në vitin 2023 pas tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
FSK-ja, ende në proces të shndërrimit në ushtri të plotë, nuk mund të operojë në veri pa lejen e KFOR-it.
Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes ka shënuar rritje nga 67.3 milionë euro në vitin 2021 në mbi 216 milionë euro këtë vit. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se kapacitetet mbeten të kufizuara përballë kostove të larta për armatime dhe pajisje moderne.
Bashkëpunimi me vendet anëtare të NATO-s dhe investimet strategjike të industrisë ushtarake mund të përforcojnë aftësitë operative të Kosovës.
Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së garanton 76.000 trupa amerikane në Evropë dhe ndalon tërheqjet e mëdha të pajisjeve, por kjo bie ndesh me Strategjinë e Sigurisë Kombëtare që vlerëson çështjet ndërkombëtare vetëm nëse kërcënojnë interesat e SHBA-së.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të NATO-s si faktor kyç për stabilitet. Takime të ngjashme u zhvilluan nga ambasadorët kosovarë dhe amerikanë në Bruksel.
Ekspertët paralajmërojnë se një tërheqje eventuale e SHBA-së mund të jetë testi më i madh për Evropën si garantuese e sigurisë në kontinent. Për Kosovën, KFOR-i nuk është thjesht një mision ushtarak; është mburoja kryesore për paqen dhe stabilitetin e saj, një lidhje që lidh historinë e dhimbshme të luftës me perspektivën e një të ardhmeje të sigurt./The Geopost

