Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas deklarimeve lidhur me çështjen e transferimit të 24 hektarëve tokë për Manastiri i Deçanit.
Hoxhaj përmes një postimi në facebook është shprehur se Kosova nuk është pronë e askujt për t’u falur sipas hatrit, është shtet dhe duhet të trajtohet si e tillë.
“Nenad Rashiq tha publikisht se Albin Kurti, për hatër të tij, ia ka transferuar tokën Manastirit të Deçanit. Një deklaratë e tillë tregon thelbin e një politike me logjikë feudale, ku territori i shtetit trajtohet si pronë për t’u dhënë “për hatër”.
Pyetja që shtrohet është e thjeshtë, për hatër të kujt janë marrë edhe vendime të tjera të rënda për Kosovën?
Për hatër të kujt u pranua vetëmenaxhimi në marrëveshjet e Ohrit dhe Brukselit më 2023? Për hatër të kujt u rikthye në qendër Rezoluta 1244 dhe mekanizma arbitrazhi që hapin rrugë për ekstraterritorialitet? Dhe për hatër të kujt u pranua që pasaportat e Serbisë për qytetarët e Kosovës të mund të përdoren për lëvizje pa viza në BE?
Kosova nuk është pronë e askujt për t’u falur sipas hatrit. Është shtet dhe duhet të trajtohet si e tillë”, ka shkruar Hoxhaj.
Kliko ketu per postimin e plote

