Shpërndaje
0
0
Pëlqeje
12:08 / E Premte, 27 Shkurt 2026 / S Z80 për qind e minatorëve të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze në punë, 58 % të diagnostifikuar me sëmundje
Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ka lansuar hulumtimin “Punëtorët e Padukshëm të Nëntokës”, duke kërkuar hartimin e një liste zyrtare të sëmundjeve profesionale për minatorët e Kosovës dhe ndryshime ligjore që do t’u mundësonin atyre njohjen e këtyre sëmundjeve dhe pensionim të parakohshëm, raporton Ekonomia Online. sipas hulumtimit 80 për qind e minatorëve janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze në punë, ndërsa 58 për qind janë diagnostifikuar me sëmundje gjatë vitit të fundit.
Drejtoresha ekzekutive e IHDNj-së, Kaltrina Rexhepi, tha se iniciativa synon përmirësimin e jetës dhe shëndetit të minatorëve përmes ndryshimeve ligjore dhe krijimit të një liste zyrtare të sëmundjeve profesionale, duke theksuar nevojën që atyre t’u njihet e drejta për pensionim para moshës 65-vjeçare.
“Nuk dua të flas sot për kontributin e minatorëve, edhe pse jemi në përmbyllje të javës së minatorëve, në 37-vjetorin e përmbylljes së javës së minatorëve dhe kontributin e tyre gjatë asaj periudhe të lavdishme sepse është një gurthemel i lirisë që ne sot e gëzojmë dhe jetojmë. Por ajo që sot dua të ndalem konkretisht është shëndeti, jeta dhe puna e minatorëve në ditët e sotme dhe kontributi i tyre në ditët e sotme. Kjo është një iniciativë konkrete e iniciuar nga Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut për realizimin e një liste të sëmundjeve profesionale dhe gjithashtu për ndryshimet legjislative që duhet të ndërmerren që minatorëve t’u njihet kontributi i punës dhe nevoja për një pensionim të parakohshëm dhe jo ashtu siç ekziston deri më tani deri në moshën 65-vjeçare”.
Rexhepi theksoi se pas hulumtimit, hapi konkret që synojnë është të arrihet inicimi i ndryshimeve ligjore.
“Ky hulumtim është vetëm një nismë e vogël. Hapi i radhës dhe hapi konkret që ne synojmë të arrijmë me tutje në këtë çështje është inicimi i ndryshimeve ligjore si dhe krijimi i listës së sëmundjeve profesionale, e cila do të kontribuonte në përmirësimin e jetës, shëndetit dhe punës së minatorëve”, tha ajo.
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, vlerësoi se gjetjet e hulumtimit përbëjnë bazë për veprim institucional, duke paralajmëruar forcim të mekanizmave të monitorimit dhe vazhdim të mbështetjes për pensionim të parakohshëm sipas legjislacionit në fuqi, si dhe procedimin e ndryshimeve ligjore që lidhen me këtë fushë.
“Gjetjet e këtij hulumtimi që janë bërë për shëndetin dhe sigurinë në punë, kushtet e punës dhe trajtimi i sëmundjeve profesionale të minatorëve përbëjnë një bazë të mjaftueshme për refleksion institucional dhe veprim të koordinuar. Ne do të forcojmë mekanizmat e monitorimit dhe inspektimit si Ministri, me qëllim të garantimit të standardeve sa më të larta të sigurisë dhe mbrojtjes në punë. Njëkohësisht përmes skemave të financuara nga shteti, ne do të vazhdojmë të sigurojmë realizimin e të drejtës për pension të parakohshëm për punëtorët e ndërmarrjes Trepça, të cilët përmbushin kriteret sipas legjislacionit në fuqi”, tha ai.
Hoti u zotua se do të angazhohet për përmirësimin e kushteve të punës.
“Ashtu si në çdo fushë tjetër të përgjegjësisë sime si ministër, angazhimi im do të jetë maksimal për përmirësimin e kushteve të punës, për mbështetjen sociale dhe për trajtimin dinjitoz të punëtorëve. Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës tashmë veç ka proceduar nëntë ligje për plotësim-ndryshim dhe vlerësim, dhe këto ligje natyrisht që i përfshijnë edhe ato çka është diskutuar dhe çka është gjetur edhe në hulumtimin e zonjës Kaltrina dhe gjithë stafit të saj përmes institutit”, tha ai.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Ëesterlund theksoi se njohja e sëmundjeve profesionale është çështje e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe e forcimit të besimit në institucione, duke bërë thirrje për kalim nga diskutimet në rezultate konkrete.
“Mësimi është i thjeshtë. Kur institucionet njohin sëmundjet profesionale, ato mbrojnë shëndetin e punëtorëve. Kur shëndeti mbrohet, të drejtat e njeriut forcohen. Dhe kur të drejtat forcohen, rritet besimi në institucione. Suedia vazhdon të mbrojë të drejtat e njeriut globalisht, përfshirë të drejtën për kushte pune të sigurta dhe të shëndetshme. Siguria në punë nuk është vetëm teknike apo mjekësore. Ka të bëjë me drejtësi, respekt dhe parimin e thjeshtë që askush nuk duhet të paguajë punën e ditës me shëndetin e tij. Kjo konferencë është një mundësi për të forcuar dialogun, për të përmirësuar kornizën ligjore, për të përmirësuar monitorimin shëndetësor dhe për të koordinuar veprimet në mënyrë më efektive. Është një mundësi për të kaluar nga diskutimet në rezultate reale dhe të matshme”, tha ai.
Analistja e hulumtimit, Anita Plakolli, prezantoi gjetjet sipas të cilave mbi 80% e minatorëve janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze në punë, 58% janë diagnostikuar me sëmundje gjatë vitit të fundit, ndërsa 70% kanë punuar pa pajisje mbrojtëse, duke e cilësuar gjendjen si alarmante për shëndetin dhe sigurinë e tyre.
“Mbrojtja e shëndetit të minatorëve ndaj faktorëve të rrezikshëm në miniera si pluhuri, zhurma, lagështia, ventilimi i dobët, rreziku nga shembja dhe substancat toksike përbën një kërcënim serioz dhe të vazhdueshëm për shëndetin e tyre fizik dhe psikologjik. Lidhur me këtë grafik, vlen të thuhet se mbi 80% të minatorëve të anketuar pohojnë se janë të ekspozuar ndaj këtyre rreziqeve gjatë gjithë kohës apo shumë shpesh”, theksoi ajo.
Tutje ajo ka treguar gjetjet edhe për temperaturat ekstreme, ku në zonat jugore të minierës është arritur 40 deri në 45 gradë celsius.
“Ambientet e punës karakterizohen nga temperatura ekstreme. Në zonat jugore të minierave, temperatura, siç mund ta shihni, arrin deri në 40 deri 45 gradë Celsius dhe ventilimi është i pamjaftueshëm. Siç shihet në grafikun tre, 64.3% e të anketuarve pohojnë se ventilimi është i pamjaftueshëm. Ventilimi i dobët në miniera lidhet drejtpërdrejt me rrezikun për sëmundje respiratore, ekspozim ndaj pluhurit mineral dhe gazrave të rrezikshëm. Sa i përket gjendjes shëndetësore, simptomave dhe sigurisë në punë, vetëm gjatë 12 muajve të fundit, 58% e minatorëve të intervistuar janë diagnostikuar me sëmundje të cilat mund t’i shihni. Ato më të shpeshtat janë: Vështirësi në frymëmarrje. Infeksione të traktit respirator. Bronkit. 81% prej tyre kanë përjetuar dhimbje muskulore, dhimbje koke dhe marramendje. 38% raportojnë humbje të dëgjimit, ndërsa 44% kanë përjetuar probleme me shikimin dhe skuqje të syve”, tha ajo.
Në hulumtim janë marrë në pyetje minatorët me përvojë 10-vjecare.
“Një aspekt thelbësor për uljen e rreziqeve profesionale dhe ruajtjen e shëndetit të minatorëve në punë është përdorimi i pajisjeve mbrojtëse dhe zbatimi i standardeve të sigurisë në punë. Rezultatet tregojnë se në praktikë kjo nuk respektohet gjithmonë. Ky grafik tregon se 70% e të anketuarve u është kërkuar të punojnë pa pajisje mbrojtëse përgjatë përvojës së tyre. Ju rikujtoj se ky hulumtim është bërë për minatorët e intervistuar të cilët kanë përvojë pune mbi 10 vite po ashtu”, tha ajo.

