Rreth 40 mijë euro investime të humbura dhe mbi 100 mijë euro mall që nuk do të dalë kurrë në treg është fatura e fermës me serra perimesh të Mirlind Saraçit në Kosovë të Vogël të Lushnjës.
Përmbytjet e ditëve të fundit i kanë shkaktuar dëme rreth 150 mijë euro, për rikuperimin e të cilave duhen vite punë, pasi uji dhe llumi kanë prishur edhe cilësinë tokës dhe ndikojnë negativisht për mbjelljet e ardhshme.
Zhgënjimi i tij shkon përtej dëmit material. Pas 15 vitesh emigracion në Itali, ai u kthye në Shqipëri rreth 12 vite më parë, me bindjen se përvoja dhe kursimet do të mjaftonin për të ndërtuar një fermë funksionale.
Sot, kthimin e quan “gabimin e jetës”, jo sepse bujqësia nuk funksionon, por sepse rreziku mbetet i pambuluar dhe përgjegjësia shpesh mbetet pa adresë.
Shqetësimi i Mirlindit nuk është vetëm me motin ekstrem, por edhe me funksionimin e shtetit.
“Askush nuk njofton? As për reshjet e pritshme, as për hapjen e portave të HEC-eve”. Mirlindi thotë se nuk pati asnjë paralajmërim për hapjen e portave të digës.
Humbja nuk erdhi nga mungesa e informacionit dhe e koordinimit, që në zona të tilla shpesh rezulton po aq shkatërruese sa vetë përmbytja.
Historia e Mirlindit është e qindra fermerëve në zonë. Gentian Ziu, fermer nga Samatica e Beratit, thotë se dëmet janë përhapur në disa fshatra dhe përfshijnë serra, kultura në fushë dhe pemëtore, ndërsa një bilanc i saktë financiar mbetet ende i pamundur.
Në Samaticë, sipas tij, janë dëmtuar rreth 8 hektarë serra të sapombjella, ndërsa 3.5 hektarë lakër, gati për treg, janë shkatërruar plotësisht.
Krahas tyre, dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në pemëtore, ku pjeshka, ulliri, mandarinat dhe portokajtë janë prekur në shkallë të ndryshme, pa mundësi për të dhënë ende një shifër përfundimtare.
“Janë shumë”, thotë ai, duke theksuar se situata në terren ndryshon nga dita në ditë.
Në të gjithë Beratin, panorama është po aq e rëndë. “Dëmet në serra janë të pallogaritshme”, shprehet z. Ziu, duke shtuar se fermerët janë përballur jo vetëm me përmbytjet, por edhe me ngrica, me temperatura që kanë zbritur deri në minus 5 gradë.
Ilir Pilku, analist i të dhënave mbi bujqësinë, tha së dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundit në bujqësi janë rreth 150 milionë euro vetëm për prodhuesit. Ai e ka bërë këtë përllogaritje bazuar në sipërfaqen e përmbytur dhe llojet e kulturave të mbjella me çmimet e tyre të prodhimit.
Duke përllogaritur vlerën në tregun me pakicë dhe eksport, humbjet dyfishohen në 30 miliardë lekë dhe shpërndahen në të gjithë zinxhirin e bujqësisë nga fermeri, qendra e grumbullimit, eksporti dhe konsumatorët, të cilët do të paguajnë çmime më të larta dhe të investimeve të humbura në serra.
Ruzhdi Koni, i cili eksporton fruta dhe perime të freskëta nga serrat, me kompaninë e tij “Agrokoni”, tha se, përmbytjet kanë dëmtuar rëndë fermat e specializuara për eksport që janë të përqendruara në zonën e Beratit, Lushnjës dhe Fierit. Zoti Koni parashikon se këto dëme kanë efekte të gjëra në ekonomi dhe pritet të ndikojnë në uljen e eksporteve deri në 30%.
Përveç të mbjellave, dëme janë krijuar edhe në blegtori, në ushqimin e kafshëve, shpendë dhe pemëtari, banesa, rrugë dhe infrastruktura të tjera.
Fondet që qeveria ka në dispozicion nëpërmjet emergjencave civile nuk plotësojnë as 5% të dëmeve të deklaruara deri më tani në bazë të sipërfaqes së përmbytur.
Kryeministri Rama tha se fermerët do të dëmshpërblehen nga përmbytjet e fundit, por Ministria e Bujqësisë ende nuk e ka një faturë finale rreth dëmeve, kostove, pasi të dhënat janë në përditësim.
Në Shqipëri, humbjet për shkak të klimës përballohen tërësisht nga fermerët pasi nuk funksionojnë skemat e sigurimeve, teksa qeveria jonë ofron mbështetje shumë të ulët për prodhuesit e cila nuk mjafton as në kohë normale për kostot e larta që përballet sektori.
Kulturat e dëmtuara në 12 mijë ha sipas qarqeve, 5791 fermerë të prekur
Për momentin nuk ka një vlerësim zyrtar kombëtar total për humbjet monetare, por sipas të dhënave nga operativë nga dikasteri i Bujqësisë, deri më datë 16 janar reshjet, përmbytjet dhe ngricat e janarit kanë prekur rreth 5,791 fermerë dhe rreth 12,172 hektarë sipërfaqe bujqësore, si dhe 5,551 krerë bagëti dhe 147 koshere bletësh. Të dhënat janë provizore dhe pritet të përditësohen.
Në Fier janë dëmtuar gjerësisht perimet 151 ha, drithërat 1,250 ha dhe foragjeret 1,700 ha. Janë raportuar edhe dëme shumë të mëdha në pemë frutore (rreth 300,000 rrënjë), si dhe sipërfaqe me vreshta dhe ullinj. Fieri është një nga qarqet me goditjen më të fortë në bujqësi.
Qarku i Beratit ka dëme të shpërndara në disa kultura – 247 ha drithëra, 368 ha foragjere, 270 ha kultura të tjera dhe 192 ha pemë frutore.
Korça ka një nga sipërfaqet më të mëdha të prekura me drithëra 1,360 ha dhe foragjere 415 ha, duke u renditur ndër qarqet më të goditura për këto kultura.
Në Gjirokastër, dëmet janë më të kufizuara me rreth 85 ha drithëra, 9 ha foragjere, si dhe dëme në pemë frutore 5,700 rrënjë dhe vreshta 24,000 rrënjë.
Në Vlorë janë prekur kryesisht drithërat 80 ha, foragjeret (25 ha) dhe një sipërfaqe e vogël me perime 2 ha, si dhe pemë frutore 12,000 rrënjë.
Në Elbasan janë raportuar dëme më të kufizuara 36 ha drithëra, 23 ha foragjere, si dhe dëme në pemë frutore 1,600 rrënjë dhe vreshta 280 rrënjë.
Në Shkodër dhe Lezhë dëmet janë përqendruar kryesisht në drithëra, foragjere dhe perime dimërore, për shkak të përmbytjeve. Shumë sipërfaqe kanë qenë nën ujë për disa ditë, duke rritur rrezikun e humbjes së prodhimit.
Në Tiranë dhe Durrës janë dëmtuar drithëra, foragjere dhe perime, si dhe pemë frutore dhe vreshta.
Në disa zona të Durrësit, dëmi ka arritur deri në 96% për disa kultura.
Një nivel kombëtar, drithërat janë dëmtuar në rreth 3,598 ha, foragjeret rreth 3,148 ha, kultura të tjera bujqësore rreth 4,151 ha, perime dhe luleshtrydhe rreth 480 hektarë, kryesisht në serra, ndërsa pemë frutore, vreshta dhe ullinj, rreth 790 hektarë.
Blegtoria, 5551 krerë të prekur
Përmbytjet dhe ngricat e janarit 2026 kanë goditur rëndë jo vetëm kulturat bujqësore, por edhe blegtorinë dhe bletarinë. Drithërat, foragjeret dhe pemëtaria janë ndër sektorët më të prekur, ndërsa në blegtori, problemi kryesor mbetet humbja e ushqimit dhe dëmtimi i stallave.
Në bletari, dëmet janë më të kufizuara në numër, por me ndikim të madh ekonomik për fermerët e vegjël. Situata mbetet dinamike dhe pritet që shifrat të rishikohen me raportime të reja nga terreni.
Të dhëna operative nga Ministria e Bujqësisë, tregojnë se janë raportuar edhe dëme në blegtori, me rreth 5,551 krerë të prekur në rang vendi. Dëmet përfshijnë humbje të pjesshme të bagëtive nga përmbytjet ose shembja e stallave në disa zona.
Dëmtim të bazës ushqimore për bagëtinë, sidomos në qarqet ku janë përmbytur foragjeret dhe drithërat (si Fier, Korçë, Berat, Lezhë dhe Shkodër) dhe rrezik për shëndetin e gjësë së gjallë nga lagështia, të ftohtit dhe mungesa e ushqimit.
Gjithashtu, në rang vendi, janë raportuar 147 koshere të dëmtuara. Dëmet në bletari lidhen kryesisht me përmbytjen e zonave ku ndodheshin kosheret, si dhe të ftohtin dhe ngricat, që dobësojnë kolonitë e bletëve.
Nga prodhimi në treg, 14-30 miliardë lekë dëm në bujqësi
Duke e bazuar në sipërfaqet dhe llojet e prodhimeve të dëmtuara dëmet financiare për prodhuesit, duke përfshirë xhiron e humbur nga prodhimet që nuk arritën të dalin në treg dhe humbjet e mundshme në eksport, luhaten nga 14 deri në 30 miliardë lekë, sipas vlerësimeve paraprake.
Në nivele specifike drithërat, të kultivuara në 3?598 hektarë, kanë humbur vlera që llogariten nga 2.88 deri në 4.32 miliardë lekë.
Foragjeret, në 3?148 hektarë tokë, përbëjnë një humbje prej 1.57 deri në 3.15 miliardë lekë. Në rastin e kultivimeve të tjera bujqësore, që zënë 4?151 hektarë, dëmet llogariten nga 3.32 deri në 6.23 miliardë lekë.
Humbjet për perimet dhe luleshtrydhet, kryesisht në 480 hektarë serrash intensive, arrijnë 4.8 deri në 12 miliardë lekë, ndërsa pemët frutore, vreshtat dhe ullinjtë, që zënë 790 hektarë, përfaqësojnë një humbje prej 1.58 deri në 3.95 miliardë lekë.
Ekspertët kanë kategorizuar sipërfaqet e dëmtuara sipas kulturës dhe kanë përdorur rendimentet mesatare për hektar, të dhëna nga statistikat e Ministrisë së Bujqësisë dhe nga përvojat konkrete të fermerëve.
Për drithërat dhe foragjeret janë përdorur rendimente relativisht të ulëta, ndërsa perimet intensive dhe serrat japin fitime shumë herë më të larta. Humbja për secilën kategori është llogaritur duke shumëzuar sipërfaqen e dëmtuar me xhiron bruto mesatare për hektar, duke marrë parasysh një gamë skenarësh nga pesimistë deri tek optimistë.
Humbjet për fermerët prodhues përllogariten deri në 140-150 milionë euro, por vlera në treg e këtyre prodhimeve është rreth 300 milionë euro, duke përfshirë edhe produktet që nuk arritën të shiteshin dhe të ardhurat e humbura nga eksporti.
Një hektar serrash që nuk ka mundur të dalë në treg përkthehet në dhjetëra milionë lekë të humbura, ndërsa humbjet në drithëra dhe foragjeret ndikojnë në furnizimin e bagëtisë dhe zinxhirin e ushqimit.
Në blegtori dhe në bujqësi, dëmet variojnë nga 280-570 milionë lekë. Për të vlerësuar humbjen ekonomike, është përdorur një metodë e bazuar në praktikën e përditshme të fermave dhe të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë.
Çdo krerë ka një kosto mesatare prej 50?000 deri 100?000 lekësh për një sezon për ushqimin dhe shërbimin. Bazuar në këtë vlerësim, dëmet nga bagëtia arrijnë në total rreth 280–570 milionë lekë, duke reflektuar humbjet për fermerët dhe investimet e shpenzuara për përkujdesjen e kafshëve. Në bletari, situata është më e kufizuar në numër, por me ndikim të madh ekonomik për fermerët e vegjël.
Janë raportuar 147 koshere të dëmtuara, kryesisht nga përmbytjet dhe ngricat që dobësuan kolonitë e bletëve dhe shkatërruan prodhimin e mjaltit. Vlera mesatare e një koshere është llogaritur rreth 50?000–100?000 lekë, duke dhënë një humbje totale për bletarinë prej rreth 7–15 milionë lekë.
Por sipas ekspertëve, humbjet shkojnë përtej familjeve fermere, pasi ato godasin tregjet e grumbullimit, përpunimit dhe eksportit, duke ulur sasinë e mallrave në treg dhe duke rritur presionin mbi çmimet e brendshme.
Çdo hektar i dëmtuar është mijëra kilogramë perimesh, drithërash dhe frutash që nuk arrijnë në treg, një kosto që ndikon në ekonominë kombëtare dhe në sigurimin e ushqimit për qytetarët.
Miliona të tjera dëme, nga rrugët te shtëpitë
Përmbytjet e janarit 2026 nuk shkatërruan vetëm tokën bujqësore dhe fermat, por kanë përfshirë edhe komunitetet urbane dhe infrastrukturën e vendit, duke nxjerrë në pah dobësitë strukturore të menaxhimit të ujit dhe planifikimit urban në Shqipëri.
Sipas raportimeve nga emergjencat civile të paktën 1?587 banesa janë përmbytur në të gjithë vendin, ndërsa mijëra të tjera janë ndikuar nga ujërat që kanë hyrë brenda shtëpive, kanë dëmtuar mobilie, pajisje dhe infrastrukturë të brendshme.
Në disa zona, banorët raportojnë dëme që tejkalojnë dhjetëra miliona lekë për familje, me pajisje shtëpiake, mobilie dhe struktura të brendshme të papërdorshme pasi uji ka depërtuar thellë në hapësirat jetësore.
Këto humbje, të shpërndara në mijëra shtëpi, përbëjnë një ngarkesë të rëndë financiare për familjet e prekura dhe tregojnë një pamje të qartë se sa i cenueshëm është strehimi vendas ndaj motit ekstrem dhe mungesës së sistemeve efektive të parandalimit të përmbytjeve.
Në anën tjetër, rrjetet e transportit, arteriet që lidhin qytetet dhe fshatrat u goditën në mënyrë të konsiderueshme. Rrugët kryesore u bllokuan për shkak të ujit dhe rrëshqitjeve, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit dhe izolim të disa komuniteteve rurale. Janë raportuar edhe shembje të pjesshme të segmenteve të rrugëve dhe dëmtime të mbikalimeve.
Ekspertët kanë përllogaritur se vetëm shkatërrimi dhe riparimi i segmenteve rrugore kryesore mund të arrijë dhjetëra deri në qindra milionë euro në një vit normal, për shkak të nevojës për rivendosje të shtresave rrugore, urave etj.
Eksportet e frutave dhe zarzavateve pritet të bien me 20-30%
Eksportet e frutave dhe perimeve arritën një vlerë prej 19 miliardë lekësh në 11-mujorin e vitit 2025, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, por për të gjithë vitin 2025, vlera e tyre pritet të kalojë mbi 210 milionë euro.
Eksportuesit paralajmërojnë se dëmet e shkaktuara nga përmbytjet dhe ngricat në serrat e vendit mund të ulin volumin e prodhimit që shkon në tregjet ndërkombëtare deri në 10–30%, duke çuar në një humbje të pritshme në vlerë midis 21 dhe 63 milionë eurosh të vlerës së eksporteve bujqësore, grupi më i qëndrueshëm në rritje, si në volum dhe në vlerë, në vitin 2025.
Ruzhdi Koni, eksportues i njohur, nënvizon se “serrat e specializuara për eksport janë goditur rëndë dhe një pjesë e konsiderueshme e prodhimit nuk mund të shkojë në eksport. Kjo do të ndikojë menjëherë në marrëdhëniet tona me partnerët dhe në planifikimin për sezonet e ardhshme”.
Përtej humbjes direkte të volumit të eksportit, prodhuesit përballen edhe me shpenzime shtesë për riparimin e serrave dhe për sigurimin e cilësisë së perimeve që mbeten, duke rritur presionin financiar mbi fermerët.
Humbja e një pjese të konsiderueshme të eksporteve nuk është vetëm një sfidë për bizneset, por ka edhe efekt zinxhir mbi ekonominë kombëtare, duke ndikuar në punësimin rural, stabilitetin e çmimeve dhe konkurrencën e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.
Ekspertët e sektorit bujqësor dhe përfaqësuesit e fermerëve këmbëngulin se duhet një qasje e integruar, që përfshin investime në infrastrukturën e serrave, sisteme paralajmëruese dhe siguri klimatike, si dhe mbështetje financiare për eksportuesit që përballen me humbje të papritura.
Pa këto ndërhyrje, vlerat e eksportit që u deshën të shënonin rritje të qëndrueshme rrezikojnë të tkurren, duke e kthyer progresin e arritur në sektorin bujqësor në një fitim të pasigurt dhe të cenueshëm ndaj kapriçiove të natyrës./Monitor

