Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në Gjakovë, ku një person ka humbur jetën.
Deri tek aksidenti erdhi pasi drejtuesi i makinës, një 81-vjeçar, humbi kontrollin e saj dhe u rrokullis buzë rrugës.
Rastin për IndeksOnline ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.
“Sot rreth orës 13:25, jemi njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në dalje të qytetit të Gjakovës, në rrugën “Dan Polloshka” në drejtim Gjakovë–Prizren.
Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes po ashtu edhe ekipi i emergjencës mjekësore të cilët kanë konstatuar vdekjen e një personi, drejtues i automjetit, mashkull i moshës madhore rreth 81 vjeç” deklaroi Krasniqi.
Ajo shtoi se njësia rajonale e trafikut rrugor është duke vazhduar me hetime, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
“ Në koordinim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “Hetim i vdekjes” dhe trupi i pajetë është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor” tha Krasniqi

