Komuna e Mitrovicës së Jugut tha se ka ndërmarrë një aksion për largimin e shitësve ilegalë, duke shtuar se kanë në synim që ata t’i vendosin në hapësirat e caktuara për tregti.
“Ashtu siç ishte paralajmëruar nga Drejtoria e Inspekcionit, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar aksioni për largimin e shitësve ilegalë që ushtronin veprimtari tregtare në rrugë dhe trotuare përgjatë zonës së tregut. Aksioni po zhvillohet nga Drejtori i Inspekcionit, z.Mujë Igrishta, së bashku me inspektorët komunalë në bashkëpunim me Policinë dhe KRM “Uniteti”, me qëllim vendosjen e tregtarëve në hapësirat e dedikuara për tregti”, ka shkruar komuna në faqen e saj.
Në njoftim u tha se qëllimi i këtij aksioni është “lirimi i hapësirave publike për këmbësorë, mundësimi i qarkullimit normal të veturave dhe garantimi i sigurisë ushqimore”.
Komuna paralajmëroi se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

