Mër. Jan 21st, 2026

Ambasada japoneze dhuron grant për Qendrën Diagnostikuese të Graçanicës

Dje, në zyrat e Komunës së Graçanicës u mbajt ceremonia e nënshkrimit të grant kontratës për “Projektin për sigurimin e pajisjeve mjekësore për Qendrën Diagnostikuese të Graçanicës” në kuadër të ndihmës japoneze të granteve për projektet e sigurisë bazike njerëzore (GGP). Grant kontrata u nënshkrua nga z. Hiroyasu Tanigaki, i ngarkuar me punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë dhe Z. Novak Zhiviq, kryetar i Komunës së Gracanicës, partnerit zbatues të projektit.

Z. Tanigaki fillimisht e uroi z. Zhiviq për zgjedhjen e tij si kryetar i ri i komunës dhe i uroi suksese në zbatimin e politikave në dobi të qytetareve të Graçanicës. Ai gjithashtu shprehu kënaqësinë e tij për mbështetjen e Qendrës Diagnostike dhe Komunën e Graçanicës në përpjekjet e tyre për të përmirësuar kushtet e jetesës së qytetarëve në komune dhe rajon.

Rreth Projektit:

Projekti synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësor për qytetarët e Graçanicës dhe rajonit përreth, duke siguruar pajisje mjekësore në Qendrën Diagnostikuese të Graçanicës. Me instalimin e një analizuesi shtesë imunoanalitik në laboratorin klinik, afërsisht 4,100 pacientë në vit do të jenë në gjendje të marrin diagnozë shumë të saktë, duke lejuar zbulimin e hershëm të sëmundjeve. Përveç kësaj, duke dhuruar një pajisje terapie me Valë goditjeje radiale ekstrakorporale në Departamentin e fizioterapisë, afërsisht 430 persona në vit do të jenë në gjendje të marrin trajtimin e duhur sipas simptomave të tyre. Vlera totale e projektit është pesëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind euro (59,700 euro).

Rreth GGP -së:

Si një nga skemat e Ndihmës zyrtare të Japonisë për zhvillim, GGP ndihmon OJQ-të dhe institucionet publike lokale në përpjekjet e tyre për t’iu përgjigjur nevojave të ndryshme të zhvillimit socio-ekonomik në nivel bazik. Qëllimi kryesor është të përmirësohen nevojat bazike njerëzore duke targetuar kryesisht fushat e shëndetit, arsimit, mjedisit dhe mirëqenies sociale. Kjo skemë synon të përmbushë nevojat e larmishme të komuniteteve lokale dhe të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e komuniteteve bazë, duke mbështetur drejtpërdrejt aktivitetet e zhvillimit në mënyrë të shpejtë dhe të saktë.

Në Kosovë, Japonia ka zbatuar skemën GGP edhe para se vendi të fitonte pavarësinë. Deri sot, shuma totale e GGP-së së Japonisë pas pavarësisë arrin në 4,410,415 euro për 66 projekte në të gjithë Kosovën.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *