Enj. Jan 15th, 2026

Dialogu/ Kur do të thirret takimi i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, tha se pret krijimin e shpejt të institucioneve të Kosovës, përfshirë qeverinë. Pas takimit me presidenten Osmani, Sorensen tha se shpreson në rinisjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas një viti të bllokadës institucionale në Kosovë. Vizita e të dërguarit të BE-së në Kosovë vjen pak javë pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme dhe në mes të procesit të rinumërimit të votave.

“Jam i lumtur të kthehem në Kosovë sërish. E para vizitë në këtë vit. Urime Vitin e Ri dhe përgëzime për zgjedhjet që sapo janë mbajtur. Pres krijijmin e kuvendit dhe formimin e qeverisë. Dhe meqë nuk ndodhi në vitin 2025 puna në çështjet e dialogut të cilat i kishim përpara nesh, personalisht pres që viti 2026 të na jap atë që nuk na dha viti 2025. Prandaj e kam nisur vitin e punës me vizitë pune këtu dhe më vonë në Beograd”, tha Sorensen.

I pyetur për mundësinë e një takimi të nivelit të lartë mes kryeministrit në detyrë Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Sorensen tha se i njëjti do të mbahet kur të jetë koha e duhur.

“Ajo që do të bëjmë është ajo që na është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare në lehtësimin e dialogut — të sigurojmë që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë. Pra do të duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë. Përfaqësuesja e lartë vizitoi Beogradin dhe Prishtinën vitin e kaluar. Ka angazhime që do të ketë një takim kur koha të jetë e duhur. Ajo do ta thërrë takimin. Njerëzit do të vijnë dhe do të shohim. Por do të duhet të shohim”, shtoi Sorensen.

Sorensen nisi vizitën e tij në Prishtinë me takimet me Albin Kurtin, kryeministër në detyrë dhe gjatë ditës takoi edhe liderët e partive opozitare.

Ndëkrohë, përmes një komunikate për media Zyra e presidentes njoftoi se gjatë takimit me Sorensenin, presidentja Osmani theksoi se procesi i dialogut duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke.

“Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit politike në Kosovë, proceset zgjedhore, situate e sigurisë, raportet me Bashkimin Evropian, si dhe e ardhmja e dialogut me Serbinë. Në takim, presidentja Osmani, theksoi se procesi i dialogut duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe se suksesi i dialogut varet edhe nga trajtimi barabartë i palëve. Ajo potencoi se Serbia vazhdimisht e ka shkelur marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Presidentja Osmani tha se ky proces duhet të ketë objektiva të qarta dhe rezultate të matshme në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar se interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton procesin”, grafika nga zyra e presidentes Osmani.

Zyra e kryeministrit në detyrë ndërkaq tha se Kurti gjatë takimit me Sorensenin tha se legjitimiteti i ri i dalë nga zgjedhjet e dhjetorit siguron përfaqësim të drejtë, kredibil dhe parimor të Kosovës në dialog.

“Kryeministri shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe dialog konstruktiv në Bruksel, duke theksuar rëndësinë thelbësore të tërheqjes së letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), dorëzimit të kryeterroristit Millan Radojçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, dhe nënshkrimit të marrëveshjes bazike dhe aneksit të zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara”, grafika nga zyra e kryeministrit në detyrë Kurti

Pas takimeve në Prishtinë, Sorensen vizitën e vazhdoi në Beograd për takime me udhëheqës të Serbisë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, mirëpo marrëveshja ende nuk është zbatuar.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *